Barcelona ka shënuar fitore të lartë në shtëpi me rezultat 4-0 ndaj Osasunës, dhe pothuajse e ka siguruar përballjen çerekfinale në Copa del Rey që sipas të gjitha gjasave do të jetë ndaj Real Madridit.

Cesc Fabregas kaloi në epërsi Barcelonën në minutën e 14-të, për ta dyfishuar epërsinë në minutën e 19-të në 2-0, me dy asistime të mjeshtrit Xavi.

Në pjesën e dytë mjaftuan edhe dy golat e Messit (73’) dhe në minutën e fundit për të përfunduar takimin që kaloi me dominim Blaugran për 4-0.

Barcelona ka edhe ndeshjen kthyese ku do të luajë me fëmijët e akademisë, ndërsa në çerekfinale do të presë sipas të gjitha gjasave Real Madridin, në dy El Clasicot e janarit.
Newcastle United ka shënuar fitore të madhe në St. James Park ndaj Manchester United, me rezultat 3-0, duke rrëzuar kështu Djajtë nga kreu i tabelës.
Ndeshja filloi me një dominim të lehtë të vendasve, të cilët shpejtë dhe krijuan epërsinë e parë.

Pas një ndërhyrje të palejuar, Shola Amebi harkoi bukur në zonë nga më se 80 metra largësi, për ta vënë në pozitë shënimi Demba Ba, i cili me volej shënoi për 1-0 dhe epërsinë e vendasve (33’).

United është përpjekur që të rikthehej në sfidë, mirëpo nuk e gjeti dot rrugën e portës.
Në pjesën e dytë Djajtë pësuan që në start. Një goditje të lirë nga më se 30 metra bukur e shfrytëzoi Yohan Cabaye, i cili shënoi një eurogol (47’).
Në vazhdim të takimit United dominoi plotësisht, por as se si nuk arriti deri te goli, madje ishte shumë afër të shënonte, por gjithë ajo që Djajtë arritën ishte vija fatale.
Dhe, në fund për nokautin e Djajve, fundin rrahjes i dha vet Phil Jones, qe më me një autogol në minutën e fundit vuri rezultatin përfundimtar prej 3-0.
Me këtë disfatë, Manchester United gjendet në pozitën e dytë me 45 pikë, tri pikë më pak se lideri Manchester City dhe tri më shumë se sa përcjellësi serioz Tottenhami.
Juventusi raportohet se ia ka ofruar klubit anglez Newcastle United sulmuesin veteran Vincenzo Iaquinta.
Daily Mail shkruan se Iaquinta i është ofruar klubit anglez në formë huazimi. Juventusi dëshiron ta lejojë 32-vjeçarin të largohet duke paguar edhe një pjesë të pagës së tij.

Kontrata e lojtarit skadon pas 18 muajve, dhe shanset e tij për të luajtur te Bianconerët u goditën edhe më shumë pas ardhjes së Marco Borriellos no formë huazimi nga Roma.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, është falënderues për mbështetjen e fansave të Real Madridin pas fitores ‘së komplikuar’ 3-2 ndaj Malaga në kuadër të Kupës së Mbretit.
“Ishte një ndeshje e komplikuar kundër një rivali të vështirë. Ne nuk luajtëm mirë në pjesën e parë, por ne dëshmuam se e dëshironim fitoren pavarësisht se pranuam dy gola. Ne do të kemi avantazhin e fitores në Malaga, që është një gjë e rëndësishme gjatë kësaj faze të dy ndeshjeve”.

“Ne jemi falënderues për mbështetjen e fansave. Është vështirë për ekipet të na mposhtin neve kur Bernabeu na brohoret si këtë herë. Ata kishin shumë ndikim në këtë rikthim dhe shpresoj të vazhdojnë të na mbështesin kështu”, ka thënë Higuain.
Kampioni i Italisë, Milani, ka mposhtur në një miqësore të pa rëndësishme klubin francez, Paris Saint Germain, sfidë që u zhvillua në Dubai.
Ndeshja ishte tejet e balancuar, me golin që erdhi fare në fillim të takimit.

Ishte njeriu më i përfolur këto ditë, Alexandre Pato, ai që nga afërsia realizoi pas një asistimi të mrekullueshëm nga Zlatan Ibrahimovic (4’).

Ishte ky goli i vetëm i sfidës, që në fakt mund të bashkojë të dyja palët drejt një marrëveshje për transferimin e sulmuesit Alexandre Pato te klubi francez.
Barcelona do të jetë pa superyllin Lionel Messi në ndeshjen e të mërkurës mbrëma ndaj Osasunës në Camp Nou.
Agjentinasi është i sëmurë nga gripi, ndërsa edhe Victor Valdes do ta humbë këtë ndeshje për të njëjtën arsye.

Sidoqoftë, sipas Sport, që të dy lojtarët do të jenë të gatshëm për ndeshjen të shtunës ndaj Espanyolit, ashtu sikurse Andres Iniesta që do të kthehet nga lëndimi.

Barcelona mund të takohet me Real Madridin në çerekfinale të Copa del Rey, në rast se skuadrat tejkalojnë kundërshtarët respektivë Osasunën dhe Malagën.
Portieri i Arsenalit, Wojciech Szczesny, mendon se bashkëlojtari i tij i ri, legjenda Thierry Henry është ende ai i vjetri.
“Ai është ende finalizues shumë i mirë dhe shumë i mençur, ai është shumë inteligjent. Ai është figurë me rëndësi në zhveshtore. Ai ndihmon lojtarët e rinj jashtë fushës ashtu sikurse brenda në fushë”.

“Është mirë që e kemi këtu dhe shpresojmë se gjithçka do të konfirmohet dhe bëhet sa më shpejtë që është e mundur sepse ne kemi nevojë për të”, potencoi Szczesny.
Instituti ndërkombëtar për histori të futbollit dhe statistika (IFFHS), ka zgjedhur Iker Casillasin si portierin më të mirë për vitin 2011.
Është hera e katërt radhazi që IFFHS e shpall portierin e Real Madridit si më të mirin e globit, përkundër mungesës së sukseseve me klubin e tij.

I dyti në këtë renditje është Manuel Neuer, i cili pasohet nga Victor Valdes në vendin e tretë. Top dhjetëshen e mbyll portieri i pensionuar i Manchester United, Edwin Van der Sar.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, mendon se fiziku i përsosur për një futbollisht nuk është aq vendimtar në suksesin e tij, sa mund të jetë talenti i tij.
“Talenti është faktor vendimtar në futboll, më shumë se sa prezenca fizike. Unë jam i bindur se janë aftësitë teknike ato që bëjnë diferencën”.

“Në vitin 2002/2003, njerëzit më thanë se nuk isha i përshtatshëm për të luajtur në qendër të terenit, pasi është dashur të jem fizikisht më i fortë. Unë kam treguar se nuk është me rëndësi të jesh lojtar fizik për t’u bërë top mesfushor”, tha Xavi.
Skuadra më e fortë dhe më e organizuar kosovare, FC Prishtina, ka dalë me një ide shumë interesante, e cila është pjesëmarrja në Superligën e Shqipërisë.
Kampionia e tetëfishtë e Kosovës ka bërë tashmë kërkesën zyrtare drejt institucioneve më të larta shtetërore shqiptare në mënyrë që kjo kërkesë të pranohet.

Lajmin e konfirmon vet presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili dëshiron që me këtë hap ta nxjerrë sadopak futbollin kosovar nga kriza. Ai për Kornerin ka deklaruar se pos Prishtinës duhet të marrë pjesë edhe një skuadër tjetër e fuqishme kosovare.

“Po, është e vërtetë, kërkesa jonë u është dërguar institucioneve më të larta shtetërore shqiptare, unë vet isha i pranishëm dhe zhvillova disa takim eme rëndësi dhe besoj se kërkesa jonë do të pranohet, me Prishtinën dhe një skuadër tjetër të fuqishme e cila mund të përballojë shpenzimet dhe ka kushte, të cilat do të garojnë në Superligën e Shqipërisë, për të larguar futbollin tonë nga kjo krizë”, theksoi Remzi Ejupi.

Tashmë një ndryshim i ri në futbollin kosovar ka ndodhur, me FC Prishtinën që ka angazhuar strategun gjerman Wolfgang Jerat si trajner të ekipit.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është i ngazëllyer me fitoren ndaj Liverpoolit.
“Ne ishim të pafat që humbëm në Sunderland, por sonte mendoj se ishte një paraqitje e mirë, edhe pse kishim disa probleme në pjesën e dytë”, ka thënë Mancini.

Me fitoren e mbrëmshme City forcon kreun me tre pikë më shumë se Manchester United, që sonte udhëton në fushë të Newcastle, por Mancini beson se Djajtë e Kuq po ashtu do të fitojnë.

“Mendoj se United është një skuadër e fuqishme, por ne duhet të mendojmë vetëm për të fituar çdo ndeshje nëse është e mundshme dhe në fund të shohim çfarë do të ndodhë.

“Tottenhami po ashtu është shumë afër, por shpresoj se ne do të qëndrojmë në maje të tabelës për një kohë të gjatë”, ka thënë më tej italiani.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se Lionel Messi ende po përmirësohet.
“Çdo vit ai është më i mirë. Ju gjithmonë mendoni se ai e ka arritur kulmin, por pastaj ai bëhet më i mirë sërish, pasi ai luan më shumë dhe fiton më shumë përvojë”.

“ai tash e kupton më mirë lojën kolektive. Vetëm ky fakt e bën atë të luajë më mirë”, ka thënë Guardiola.

Messi mund të dalë në fushë sonte për ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Osasunës.
Sulmuesi i Romës, Marco Borriello, është i ngazëllyer me huazimin e tij te Juventusi.
Ai u kushtoi Bianconerëve 500 mijë euro për t’u huazuar deri në fund të sezonit dhe Juventusi ka mundësinë ta bëjë të përhershëm transferimin për 8 milionë euro në qershor.

“Jam vërtet i nderuar që jam këtu. Përfundimisht është një njohje e madhe nga një prej ekipeve më të spikatura në botë dhe është shumë ngazëlluese të jem këtu”.

“Kam luajtur me shumicën e lojtarëve qoftë në klube ose në kombëtare. Me Mirko Vucinic te Roma, Andrea Pirlo te Milani. Shpesh shkëmbejmë mesazhe me Giorgio Chiellini, Simone Pepe dhe Pirlo”, ka thënë Borriello.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, është i pakënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në pjesën e parë të fitores 3-2 ndaj Malagas.
Madridi ishte në disavantazh 2-0 në Bernabeu në ndeshjen e parë të 1/8-tës së finales së Kupës së Mbretit, por arriti ta përmbysë rezultatin në pjesë të dytë me golat e Sami Khedira, Gonzalo Higuain dhe Karim Benzema.

“Ne ia vështiruam gjërat vetes në pjesën e parë, por luajtëm më ndryshe në pjesën e dytë, duke kërkuar hapësira dhe fitore”.

“Real Madridi gjithmonë do të përpiqet të japë më të mirën. Ne do të kemi avantazh në ndeshjen e kthimit, por nuk duhet të jemi të qetë”, ka thënë Casillas.

Ndeshjen e dytë të Kupës, Real Madridi do ta zhvillojë më 10 janar në fushë të Malagas.
Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis, ka konfirmuar se klubi italian ka kompletuar nënshkrimin me Eduardo Vargas.
Vargas vjen te Napoli nga klubi Universidad de Chile për një shumë rreth 10 milionë euro dhe do të jetë në gjendje të luajë edhe në Ligën e Kampionëve.

“Disa orë më parë ne depozituam kontratën e tij në Lega, andaj Vargas tash është i gatshëm të na bashkohet neve dhe do të fillojë të stërvitet me Walter Mazzarrin gjatë vikendit”, ka konfirmuar Laurentiis.

“Ndoshta kiliani mund të luajë në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Cesena më 12 janar. Ne duam t’i ndihmojmë atij të zhvillohet në ritmin e tij dhe u them fansave ta mbështesin gjithë kohës ashtu që ai të mund të futet në mekanizëm. Ne duhet ta mbështesim atë, si prindër të mirë”, ka shtuar italiani.
Paris Saint Germaine pritet të bëjë një ofertë të menjëhershme për yllin e Milanit, Alexandre Pato, derisa të dy klubet janë në Dubai.
Mediat franceze shkruajnë se pronarët arab të PSG i kanë thënë trajnerit të ri Carlo Ancelotti se ai ka në dispozicion 40 milionë euro për ta bindur Milanin ta shesë Paton.

Milani vazhdimisht thotë se sulmuesi brazilian nuk është për shitje, por agjenti i Patos, Gilmar Veloz, po ashtu gjendet në Dubai për bisedime me Ancelottin, dhe të gjitha shenjat janë se në marrëveshje mund të arrihet.

Ancelotti i ka thënë Veloz se Pato mund të presë një pagë prej 7 milionë eurosh në vit.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se ai ishte i pakënaqur me të gjithë skuadrën pas pjesës së parë të ndeshjes së mbrëmshme kundër Malagas.
“U thash lojtarëve në pauzë se nëse do të mundja, do të bëja 11 zëvendësime, do ta ndryshoja të gjithë skuadrën. Mund të bëja vetëm tre, por do t’i ndërroja të 11-të lojtarët”.

“I zëvendësova tre lojtarë ashtu që ekipi të mund të bëjë gjëra të tjera, mendova për këtë para pauzës, por kjo nuk është diçka që më pëlqen”.

“Të tre lojtarët që i zëvendësova nuk luajtën aspak më keq se të tjerët. Nuk dua të fajësoj asnjërin”, ka thënë Mourinho pas ndeshjes së mbrëmshme.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, është i kënaqur me nënshkrimin e ish-sulmuesit të Milanit, Marco Borriello, i cili erdhi në formë huazimi nga Roma.
“Çfarë shohim te Borriello që nuk e pa Milani? Ndoshta të njëjtën gjë që pamë te Pirlo”.

“Prapa çdo zgjidhje ka gjithmonë shumë arsye dhe vlerësim. Zgjidhja e Borriellos është ndarë në mes klubit dhe meje dhe nuk i kuptoj ata që theksojnë problem e tepricës së lojtarëve”.

“Juve është një skuadër e shkëlqyeshme dhe duhet të ketë shumë arsye – askush nuk duhet të ketë frikë nga konkurrenca”, ka thënë Conte.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, thotë se ai preferon të ndjekë karrierën si menaxher, pasi t’i japë fund karrierës si lojtar.
“Është shumë e mundshme. Madje edhe pse më herët i kam thënë jo kësaj ideje”.

“Mbaj mend se Henrik Larsson e kishte thënë këtë, kur luajti, ai ‘kurrë nuk do të bëhej trajner’. Tash, megjithatë, ai është një trajner. Andaj nuk e di çfarë do të ndodhë pas dy ose tre vitesh”, ka thënë Ibra.
Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, ka mbetur i zhgënjyer me paraqitjen e skuadrës në disfatën 3-0 ndaj Manchester Cityt.
“Nuk jam i sigurt nëse rezultati reflekton mënyrën se si shkoi ndeshja. Unë nuk them se ne merituam të fitojmë, por mësimin që e mësuam sonte ishte nëse nuk jemi klinik do të vuajmë”.

“Ka shumë gjëra të cilat ndodhën sonte, të cilat ne mund t’i përmirësojmë vetë dhe duhet ta bëjmë këtë”.

“Ne kishim një mundësi të shkëlqyeshme për ta hapur rezultatin (përmes Stewart Downing), ne pranuam golin e parë pasi humbëm posedimin, të dytin nga këndi, për të cilin duhet të ishim më të kujdesshëm dhe të tretin kur ata ishin me 10 lojtarë dhe Toure vrapoi dhe fitoi penalti. Është një mësim i vrazhdë, por ne do të mësojmë nga kjo”, ka thënë Dalglish.
Interi është i gatshëm të ulë çmimin e Wesley Sneijder me qëllim që të mbyllë marrëveshjen e transferimit të tij te Manchester United.
Drejtori i Interit, Marco Branca, është në Manchester gjatë kësaj jave për bisedime me zyrtarët e United rreth shitjes së holandezit.

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, e kishte informuar agjentin e Sneijder, Soren Lerby, se ai mund të largohet për 25 milionë euro. Megjithatë, Sportmediaset shkruan se Moratti është i gatshëm ta ulë këtë shumë për të mbyllur rastin.

Interi tashmë e ka identifikuar yllin e Sao Paulo, Lucas, si zëvendësim të Sneijder, por nuk mund ta transferojë të riun përderisa nuk shitet ky i fundit.
Real Madridi është rikthyer nga disavantazhi prej dy golash për të fituar me rezultat 3-2 përballë Malagas në Santiago Bernabeu, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Kupës së Mbretit.
Mysafirët krijuan avantazh të dyfishtë në pjesën e parë. Sergio Sanchez shënoi për avantazhin e parë (10’), ndërsa Martin Demichelis e dyfishoi epërsinë (29’).

Mirëpo, me të filluar gjysma e dytë, Jose Mourinho bëri të tre zëvendësimet e mundshme, duke inkuadruar Sami Khediran, Karim Benzeman dhe Mesut Oezilin. Ndërsa ky intervenim i trajnerit rezultoi mjaft i suksesshëm.

Sami Khedira e shënoi golin e parë të vendasve (69’), ndërsa Gonzalo Higuain e barazoi rezultatin (70’).

Rikthimi sensacional u kompletua me golin e Karim Benzemas (78’), i cili shënoi pasi pranoi një top të bukur nga Ronaldo.

Ndeshja kthyese zhvillohet më 10 janar në La Rosaleda.