Arsenali kalon me lehtësi Villarrealin
Topçinjtë kanë shënuar fitore bindëse me rezultat 3-0 ndaj Villarrealit në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke siguruar përballje me kampionin në fuqi, Manchester United, në gjysmëfinale të kësaj gare më të famshme evropiane.
Arsenali u tregua i kujdesshëm në mbrojtje gjatë kësaj ndeshje dhe shfrytëzoi mirë rastet për shënim, duke u kualifikuar kështu me rezultat të përgjithshëm 4-1, pas dy ndeshjeve.
Pjesa e parë
Edhe pse mysafirët kishin mbajtjen e topit lehtësisht më të lartë, ishin mysafirët ata që dominuan në raste dhe në epërsi në pjesën e parë të ndeshjes. Rezultati u hap pas vetëm 11 minutash lojë, kur Theo Walcot nuk fali për të shënuar një gol të bukur nga afërsia pas një loje të mirë të Emmanuel Eboue dhe Cesc Fabregas.
Arsenali pati edhe një rast në minutën e 26-të, por goditja e lirë e Van Persiet u mbrojt nga Lopez, ndërsa Adebayor dështoi të gjejë rrjetën nga topi i rikthyer. Villarreali pati po ashtu raste, përfshirë një goditje të Diego Godin në minutën e nëntë që u mbrojt nga portieri Lukasz Fabianski, dhe një tentim tjetër i ish-topçiut, Robert Pires, goditja e të cilit u devijua jashtë porte nga Song.
Pjesa e dytë
Arsenal filloi në mënyrë të shkëlqyeshme edhe në pjesën e dytë. Pas një ore lojë ishte Emmanuel Adebayor ai që dyfishoi epërsinë për topçinjtë pas një asistimi të shkëlqyer nga Robin van Persie. Ishte goli i 16-të i sulmuesit nga Togo në të gjitha garat. Shumë shpejt u shuan gjitha dyshimet rreth ekipit që do të kualifikohet në gjysmëfinale, pasi gjashtë minuta pas dyfishimit të rezultatin për topçinjtë u akordua një penalti, pas faulimit të Theo Walcott në zonën e rreptësisë nga Godin.
Category: Futboll
0 Komente