Djajtë mposhtin Topçinjtë

dardanmiftari | Wednesday, April 29, 2009 | 1 Komente

Takimi i parë gjysmëfinal ndërmjet Manchester Unitedit dhe Arsenalit, i zhvilluar të mërkurën mbrëma në Old Trafford ka përfunduar me fitoren minimale të Djajve të Kuq.

Kampionët në fuqi treguan lojë shumë më të mirë në të dyja pjesët e takimit duke e vënë në presion vazhdimisht Arsenalin dhe duke e detyruar të tërhiqet në gjysmën e vetë të fushës.

Megjithatë, përkundër presionit të kundërshtarit mysafirët arrinin të zhvillonin lojën e vet kohë pas kohë, por duke mos qenë të rrezikshëm përpara portës së Van Der Sarit. Një rast shumë të mirë të pashfrytëzuar në pjesën e parë e pati sulmuesi argjentinas, Carlos Tevez, i cili u gjet përballë portierit Almunia, mirëpo portieri i Arsenalit u tregua më i suksesshëm në të dyja goditjet e argjentinasit. Shumë shpejt pas këtij rasti erdhi goli i vetëm në ndeshje, të cilin e shënoi mbrojtësi John O'Shea, i cili u gjet më së miri brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit në minutën e 17-të.
Edhe pjesa e dytë ishte mjaft energjike, ndërsa Arsenali u këndell pakëz më tepër dhe u vërejt më shumë në fushë në krahasim me pjesën e parë të ndeshjes. Mirëpo ishin sërish vendasit ata të cilët e dirigjonin takimin.

Rastin më të mirë për Arsenalin e pati Adebayor, i cili pranoi një top nga Song, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë portës (64’). Në saje rasteve të shumta të Manchesterit, vlen të përmendet një super-goditje e Cristiano Ronaldos (70’), e cila tundi transversalen e portierit Almunia.

Sido që të jetë, fitorja minimale nuk siguron asgjë, megjithëse mospranimi i golit nga United ishte veprimi më i mirë për të qenë favorit në ndeshjen e kthimit. Nga ana tjetër Arsenali duhet të jetë shumë i vëmendshëm dhe të shënojë gola në ndeshjen e kthimit e cila zhvillohet pas një jave në Emirates Stadium.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

1 comment:

Shkruani Komentin Poshtë...