Shakhtari fiton Kupën UEFA

dardanmiftari | Thursday, May 21, 2009 | 0 Komente

Shakhtar Donetsk e ka mposhtur Werder Bremenin me rezultat 2-1 pas vazhdimeve, për t’u shpallur fitues i Kupës UEFA, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin Sükrü Saraçoglu të Stambollit.

Ekipi ukrainas do të jetë kështu fituesi i fundit i “Kupës UEFA”, pasi kjo garë në sezonin e ardhshëm do të riorganizohet dhe do të mbajë emrin Liga Evropiane.

Shakhtar, që së fundi humbi titullin e kampionit të Ukrainës nga Dynamo Kiev, pati rastin të kalojë në epërsi pas vetëm pesë minutash me anë të sulmuesit brazilian Luiz Adriano. I njëjti lojtar nuk e keqpërdori rastin tjetër në ndeshje, duke mposhtur portierin e Werderit, Tim Wiese pas 25 minutash lojë.Bremen u përgjigj në minutën e 34-të me anë të brazilianit të Werderit, Naldo, i cili barazoi rezultatin. Portieri Wiese bëri një varg mbrojtjesh të shkëlqyeshme, për të dërguar ndeshjen në vazhdime.

Gjashtë minuta pas fillimit të vazhdimeve, ekipi ukrainas riktheu epërsinë përmes brazilianit tjetër, Jadson. Shakhtar kësaj here arriti ta ruajë avantazhin, megjithëse Bremenit iu mohua një gol i vonshëm, për shkak të një fauli të supozuar.Shakhtar ka fituar 12 trofe vendorë, që kur Ukraina u nda nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1990, por ky është trofeu i parë evropian.

Në mënyrë ironike, që të dy finalistët, Shakhtar dhe Bremen, ishin kualifikuar për në garën e mëtejme të Kupës UEFA pasi përfunduan në pozitat e treta në grupet përkatëse në kuadër të Ligës së Kampionëve.Werderi do të ketë edhe një mundësi tjetër për të fituar trofe, pasi të shtunën përballet me Bayer Leverkusen në finalen e Kupës së Gjermanisë në Berlin.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...