Roma shënon fitore minimale ndaj Chievos

dardanmiftari | Saturday, January 09, 2010 | 0 Komente

Edhe pse me dhjetë lojtarë në fushë për po thuajse tërë ndeshjen, Roma ka arritur ta ruajë avantazhin e fituar që në minutën e parë të ndeshjes dhe të shënojë fitore minimale në fushë të vet ndaj Chievos.
Daniele De Rossi ishte autor i golit të vetëm të ndeshjes, pasi shënoi me kokë pas një harkimit të topit nga këndi me të filluar ndeshja.
Vendasit mbetën me dhjetë lojtarë në fushë që nga minuta e 13-të kur u përjashtua portieri i këtij ekipi, Doni, por gialorosët arritën ta ruajnë avantazhin deri në fund të ndeshjes dhe madje vazhduan t’i kenë rastet më të mira, me sulmuesin e ri Luca Toni që pati tre raste të mira shënimi.
Për Chievon u angazhua edhe sulmuesi i kombëtares shqiptare Erjon Bogdani, i cili megjithatë nuk arriti të tregojë ndonjë ndikim të madh.
Fitorja e ngre Romën në pozitën e katër të tabelës me 32 pikë, dy më shumë se Napoli që gjendet në pozitën e pestë dhe që nesër pret në fushë të vet Sampdorian.
Lideri i tabelës, Interi, sonte pret në fushë të vet ekipin e fundit në tabelë, Sienën, derisa nesër mbrëma në Serie A zhvillohet derbi i Serie A në mes të Milanit dhe Juventusit.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...