EL: Eliminohet Juventusi

dardanmiftari | Thursday, March 18, 2010 | 0 Komente

Festa e lojtarëve vendas. Fulhami është kualifikuar në çerekfinale të Europa League pasi ka arritur ta eliminojë Juventusin me rezultat të përgjithshëm prej 5-4.
Juventusi ishte mysafir i Fulhamit në Craven Cottage për të zhvilluar ndeshjen kthyese të 1/8 së finales së Europa League. Ndeshja e parë e zhvilluar në Torino përfundoi me fitoren e bardhezinjve me rezultat 3-1, ndërsa takimi kthyes i zhvilluar në Londër i takoi skuadrës angleze, e cila fitoi me rezultat 4-1.
Italianët ishin të furishëm në fillimin e ndeshjes duke kaluar në epërsi me anë të David Trezeguet (2’), mirëpo pas shtatë minutash Bobby Zamora barazoi rezultatin.
Gjërat shkuan keq për Bianconerët kur Fabio Cannavaro u përjashtua me karton të kuq (27’).
Epërsinë numerike në fushë e shfrytëzuan vendasit të cilët realizuan golin e epërsisë me anë të Zoltan Gera (39’) dhe me rezultat 2-1 mbyllën pjesën e parë.
Me të filluar pjesa e dytë u akordua penallti në favor të Fulhamit, pas prekjes së topit me dorë nga Diego, ndërsa nga njëmbëdhjetëmetërshi i pagabueshëm ishte Zoltan Gera (49’) dhe tani rezultati i përgjithshëm ishte i barabartë, 4-4.
Në minutën e 82-të erdhi goli i katërt i skuadrës angleze, të cilin e realizoi Clint Dempsey dhjetë minuta pasi u inkuadrua në lojë.
Ky gol e kualifikon Fulhamin në çerekfinale të Europa League, ndërsa Juventusi përshëndetet edhe me trofeun e fundit të cilin mund ta fitonte këtë edicion.
Në takimin tjetër të kësaj gare, Benfica ka arritur të fitojë si mysafir i Marseille me rezultat 2-1, për të siguruar kualifikimin në çerekfinale të Europa League me rezultat të përgjithshëm 3-2.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...