Anglia dhe SHBA-të barazojnë

dardanmiftari | Saturday, June 12, 2010 | 0 Komente

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë befasinë, duke ndaluar me barazim 1-1 njërën nga kombëtaret favorite të Kupës së Botës, Anglinë.
Të zgjedhurit e trajnerit Fabio Capello kaluan në avantazh të hershëm kur pas një asistimi të Emile Heskey, Steven Gerrard u gjend shumë mirë në zonë për të dërguar topin në rrjetën e portierit Tim Howard.
Megjithatë, pavarësisht epërsisë, anglezët nuk treguan lojë të qëndrueshme gjatë pjesës së parë dhe humbën edhe avantazhin pesë minuta para pauzës. Pas një goditje të lehtë të Clint Dempsey, portieri Robert Green reagoi dobët duke lejuar topin t’i rrëshqasë nga dora dhe të përfundojë në rrjet, që solli barazimin e rezultatit.
Në pjesë të dytë trajneri Capello reagoi duke inkuadruar Jamie Carrager në vend të Ledley King, që megjithatë nuk ndryshoi diçka në mënyrën e lojës së anglezëve e që vazhduan të vuajnë edhe në fillim të kësaj pjese.
Emile Heskey keqpërdori një rast të mirë në minutën e 51-të, kur goditja e tij përfundoi në duart e portierit Howard, ndërsa amerikanët po ashtu patën një rast të mirë shënimi me anë të Jozy Altidore, që u mbrojt kësaj here nga Green (65').
Anglezët treguan një lojë më agresive në pjesën e fundit të ndeshjes. Wayne Rooney për pak sa nuk befasoi portierin amerikan me anë të një goditje nga largësia në minutën e 74-të të ndeshjes, ndërsa një minutë më pas edhe Shaun Right-Philips huqi nga afërsia. Por, as inkuadrimi i shtatlartit Peter Crouch në 10 minutat e fundit të ndeshjes nuk solli ndonjë ndryshim rezultati.Në grupin C së bashku me Anglinë dhe SHBA-të ndodhen edhe Algjeria dhe Sllovenia, që do të përballen nesër në stadiumin Peter Mokaba në Polokwane.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...