Spanja në finale

dardanmiftari | Wednesday, July 07, 2010 | 0 Komente

Spanja do jetë për herë të parë në një finale të Kupës së Botës, pasi ka mposhtur Gjermaninë me rezultat minimal 1-0 me golin e vetëm të shënuar nga Carles Puyol, në gjysmëfinalen e zhvilluar Durban.
Spanjollët ishin shumë më kërkues që nga fillimi i ndeshjes, duke pasur posedim dhe duke krijuar më shumë raste se gjermanët, të cilët dështuan të përsërisin shkëlqimin që treguan deri tash gjatë Botërorit.
David Villa pati rast të mirë kur në minutën e gjashtë pranoi një pasim të shkëlqyeshëm nga Pedro, por portieri i Schalke, Neuer, u gjend shumë mirë për të bllokuar goditjen nga afërsia të sulmuesit të Barcelonës. Shtatë minuta më pas, pas një harkimi të Andres Iniesta, mbrojtësi Carles Puyol gjeti topin me kokë, por goditja e tij përfundoi mbi portë.
Spanjollët krijuan edhe shumë raste të tjera, por nuk arritën të gjejnë portën kundërshtare. Në anën tjetër gjermanët patën rastin më të mirë në minutën e fundit të pjesës së parë, kur pas një pasimi nga Miroslav Klose, Mesut Ozil u gjend para golit të Iker Casillas, por i penguar ca nga Sergio Ramos, gjermani nuk arriti as të dërgojë goditje.
Kampionët e Evropës vazhduan të kërkojnë golin edhe në pjesën e dytë, por goditjet e Alonso (49’) dhe Villa (55’), përfunduan jashtë porte. Një aksion shumë i vrullshëm i spanjollëve për pak sa nuk solli golin e parë të ndeshjes, por goditja e Pedro u mbrojt nga portieri Neuer, ndërsa një asistim pasues i Iniestas, nuk arriti të shfrytëzohet nga Villa (58’).
Gjermanët kërcënuan shumë rrallë portën spanjolle në pjesën e dytë, me një rast të mirë që erdhi pas pasimit të Podolskit, por goditja e Toni Kroos ishte shumë e lehtë dhe u mbrojt nga Casillas.
Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 73-të kur pas një harkimi të Xavi nga këndi Puyol kësaj here ishte i saktë dhe shënoi në portën e Neuer. Pas dhjetë minutash tjera, spanjollët patën një rast tjetër të artë, por duke dashur të kryejë të gjithë punën vet, Pedro humbi topin dhe nuk pasoi për Fernando Torres, që mund të kishte vulosur rezultatin.
Trajneri i kombëtares së Spanjës, Vicente del Bosque, ka shkruar histori me këtë fitore, pasi është hera e parë që Spanja arrin në një finale të një Botërori. Në finale kampionët e Evropës do të përballen me Holandën, e cila mbrëmë eliminoi Uruguain.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...