Mediat italiane - Skandaloz mos nominimi i Militos për Topin e Artë
Nëse është një gjë për të cilën mediat në Itali pajtohen, atëherë është lënia e Militos jashtë listës së 23 lojtarëve të nominuar për ta fituar Topin e Artë.
Dy prej gazetave më të mëdha sportive në Evropë, Il Corriere dello Sport dhe La Gazzetta dello Sport, shprehin shqetësimin e tyre për lënien jashtë listës së nominuarve të sulmuesit të Interit, Diego Milito, që ishte krucial në spastrimin e titujve bërë nga Interi sezonin e kaluar.
“Mos përfshirja e Militos është misterioze. Ose, ofendim për futbollin. Ne pyesim: Nëse lojtari i cili ka shënuar golin që vendosi Scudetton, finalen e Kupës së Italisë dhe madje edhe Ligën e Kampionëve, nuk është lojtari më i mirë i vitit, atëherë kush i takon asaj liste? Çfarë bënë 23 lojtarët e përfshirë në atë listë për 12 muaj të tërë? Natyrisht, ata të gjithë janë kampionë dhe kanë shënuar nga dy apo tre gola gjatë Botërorit”, shkroi Stefano Agresti, columnist i Il Corriere dello Sport.
Nga ana tjetër më të butë nuk janë treguar as analistët e La Gazzeta dello Sport: “Të tentosh të justifikosh një gabim aq të madh është gjë e padobishme. Por, të sqarosh politikën e përdorur për mos përfshirjen e Militos do të ishte kyç për të arritur deri te rezultati. Këto zgjedhje janë bërë nga FIFA, e cila e sheh Ligën e Kampionëve si garë të rëndomtë nacionale, e jo si garën më të madhe të klubeve në botë”.
Çështja e largimit të Militos ka zgjuar polemika të shumta në qarqet e futbollit evropian, sidomos në ato italiane dhe arsyet se pse ky vendim konsiderohet skandaloz, do t’iu sjellin së shpejti në SportiSot.
Category: Futboll
0 Komente