Blaugranët i gëzohen fitores së radhës
Barcelona ka shënuar fitore prej 3-0 kundër Herculesit në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në Estadio Jose Rico Perez.
Në pjesën e parë skuadra vendase krijoi presion kundrejt Barcelonës, mirëpo kjo zgjati deri në minutën e 43-të, kur mysafirët kaluan në epërsi.
Ishte Pedro Rodriguez lojtari, i cili pranoi një pasim fantastik të Xavit për të shënuar golin e parë të Barcës (43’) dhe për të vendosur rezultatin përfundimtar të pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë të lojës, katalunasit dominuan tërësisht, mirëpo arritën të realizonin në minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa lojtari më i mirë në botë Lionel Messi u regjistrua dy herë në listën e golashënuesve (88’ dhe 89’).
Pas kësaj fitoreje, Barcelona ka 58 pikë, shtatë më shumë se Real Madridi që të dielën zhvillon ndeshjen e javës së 21-të kundër Osasunas.
Category: Futboll
0 Komente