La Coruna, kundërshtar i zbehtë për Barcën
Barcelona ka shënuar fitore prej 4-0 si mysafir i Deportivo La Corunas në takimin e zhvilluar të shtunën mbrëma në Estadio Municipal de Riazor. Mysafirët dominuan në pjesën e parë të takimit, megjithatë arritën të realizojnë vetëm një gol. Një pasim brilant të Lionel Messi, e shfrytëzoi në mënyrë të jashtëzakonshme David Villa për të shënuar nën këmbët e portierit Aranzubia (26’).
Blaugranët vazhduan dominimin edhe në pjesën e dytë, ndërsa ‘superMessi’ la të shtangur portierin vendas kur dyfishoi epërsinë nga gjuajtja e lirë (52’).
Për ta zbukuruar takimin, katalunasit shënuan edhe dy gola të shpejtë. Fillimisht Andres Iniesta realizoi një gol të bukur nga distanca (80’), ndërsa një aksion të shpejtë të mysafirëve e konkretizoi Pedro Rodriguez (81’) për të turpëruar skuadrën vendase.
Pas xhiros së 18-të, Barca gjendet në krye të tabelës me pesë pikë më shumë se Real Madridi, por Los Blancos zhvillojnë të dielën takimin e kësaj xhiroje kundër Villarrealit.
Category: Futboll
0 Komente