Ofertë marramendëse për Majlinda Kelmendin

dardanmiftari | Sunday, January 30, 2011 | 0 Komente

Federata e Xhudos e Azerbajxhanit ka vërejtur talentin e jashtëzakonshëm të xhudistes Majlinda Kelmendi, duke i bërë një ofertë marramendëse asaj dhe trajnerit Driton Kuka, si nga ana financiare ashtu dhe nga ana materiale.
Trajneri Driton Kuka ka lëshuar një komunikatë për media ku e ka zbuluar ofertën e federatës së Azerbajxhanit, që ka ofruar 5000 euro në muaj për të dhe Majlinda Kelmendin. Kuka për të mos u larguar nga Kosova kërkon së paku një pagë prej 1000 eurosh.
“I nderuar zotri Kuka. Unë kam nderin t’iu njoftoj se Federata e Xhudos së Azerbajxhanit ju bën ofertë si vijon:
1. Ju mund të punoni së bashku me atleten tuaj në vendin tonë. 2. Ju mund të qëndroni në vendin tonë dhe të vini në Azerbajxhan për t’u stërvitur para kampionatave dhe gjatë kampionateve, ashtu si të udhëtoni me federatën tonë në kampionatet të cilat mbahen në vende tjera. 3. Federata e Xhudos së Azerbajxhanit është e gatshme që t’iu paguaj juve dhe atleten tuaj nga 5000 euro në muaj”.
“Pos tjerash, më duhet t’iu informoj se Federata e Xhudos së Azerbajxhanit është e gatshme që t’iu shpërblejë për çdo medalje që do ta fitojë atletja juaj, në të gjitha garat ndërkombëtare. Për detajet tjera do të bisedojmë më vonë, për shembull në Paris, nëse pajtoheni me ofertën tonë preliminare. Ne kemi parë sukseset tuaja në turneun e mbajtur në Baku dhe ishim dëshmitarë të të arriturave të xhudistes tuaj, e cila mund të motivojë atletët tanë. Kjo është dëshmi se sa i rëndësishëm është zhvillimi i xhudos në vendin tonë”.
“I nderuar zotri Kuka, kërkojmë nga ju që të analizoni të gjitha ofertat dhe të ktheni përgjigjen sa më shpejtë që është e mundshme për më shumë detaje para takimit tonë në Paris, në mënyrë që të finalizojmë gjithçka gjatë ‘grand-slam’ turneut në Paris”, shkruan në letrën dërguar nga asistenti i presidentit të Federatës së Xhudos së Azerbajxhanit, Elchin Maharramov.
Po në këtë komunikatë Driton Kuka, trajneri i Majlinda Kelmendit, bënë të ditur se së shpejti do të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të biseduar mbi këtë ofertë dhe për atë se çfarë ofron Qeveria e Kosovës, në mënyrë që Majlinda të mos largohet nga Kosova.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...