Reali, avantazh në Sevilla

dardanmiftari | Wednesday, January 26, 2011 | 0 Komente

Karim Benzema Real Madridi ka arritur të mposhtë minimalisht Sevillan në Ramon Sanchez Pizjuan, në një ndeshje e cila u përcoll nga presioni i madh i tifozëve vendas dhe nga momente kontestuese.
Sevilla bëri presion nga fillimi i takimit, duke diktuar tempon e lojës me anë të posedimit më të lartë, por ishin madrilenët ata që i patën rastet në këtë takim.
Pas një pasimi fenomenal nga Mesut Ozil, sulmuesi më i kritikuar në planet, Karim Benzema dëpërtoi brenda zonës së Sevillas, kaloi dy lojtarë vendas në mënyrë mjeshtërore dhe në fund shënoi për 1-0, dhe heshti tifozët në Ramon Sanchez Pizjuan. Sevilla tentoi që me anë të ndërprerjeve të bënte diçka, por nuk ia arriti falë një performance të shkëlqyer në mbrojtjen e Los Blancos.
Momenti më kontestues në këtë takim u shënua në minutën e fundit të pjesës së parë, kur pas një pasimi përballë portierit Casillas u gjend Luis Fabiano, i cili pasi tejkaloi Casillasin goditi në portë lehtë, goditje të cilën arriti ta ndalë Albiol, i cili e dëboi nga vija. Sipas gjyqtarit ky nuk ishte gol, por në fakt këtu goli ekzistoi pasi gjysma e topit kaloi vijën fatale. Pas protestave të shumta nga lojtarët dhe tifozët vendas, ndeshja vazhdoi me Real Madridin që insistoi në pjesën e dytë për golin e dytë, por që nuk e arriti dot. Sevilla në fund tentoi të gjente portën për një barazim, por sfida përfundoi me rezultat 1-0 për Los Blancos.
Kështu Real Madridi për ndeshjen kthyese që zhvillohet në Bernabeu ka një avantazh të jashtëzakonshëm, pasi që pos epërsisë numerike nga goli ka dhe epërsinë e golit në terrenin mysafir.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...