Hakmerret Bayerni
Bayern Munichu ka shënuar fitore minimale prej 1-0 kundër Interit në Giuseppe Meazza, për t’u hakmarrë për humbjen në finalen e vitit të kaluar të Ligës së Kampioneve.
Të dyja skuadrat zhvilluan një gjysmë të parë të jashtëzakonshme me shumë raste për të shënuar, mirëpo rrjetat nuk u prekën.
Nga rastet e shumta të Interit, përmendim rastin e Esteban Cambiassos (23’), i cili, pas një lëvizje të shkëlqyer të Samuel Eto’s, u gjet përballë portierit Kraft, kundrejt të cilët dështoi të shënonte. Ndërkohë, menjëherë pas (24’), Franck Ribery goditi transversalen pas një krosimi të bukur të Arjen Robben.Bavarezët e filluan më mirë pjesën e dytë, me ç’rast pas një solo-aksioni Robben goditi shtyllën. Megjithatë, menjëherë reaguan Nerazzurët kur pas goditjes se Eto’o, Cambiasso u gjet sërish përballë portierit mysafir, mirëpo gjuajti mbi portë.
Bayerni e dominoi ndeshjen në vijim duke pasur iniciativën, ndërsa Interi e ruajti fuqinë për minutat e fundit të takimit, kur shkaktoi presion kundrejt mysafirëve, por nuk arriti të shënojë.
Ndërkaq, pas goditjes së Arjen Robben drejt portierit Julio Cesar, topin e kthyer e shfrytëzoi Mario Gomez, për të shënuar golin e fitores për skuadrën mysafire (90’).
Ky rezultat është shumë i favorshëm për gjermanët, duke qenë se ndeshja kthyese zhvillohet në Allianz Arena.
Category: Futboll
0 Komente