Juve në ‘qiellin e shtatë’
Juventusi ka arritur të mposhtë Interin me rezultat minimal 1-0 në sfidën kryesore të javës së 25-të në Serie A, në Derbi d’Italian e fundit në Olimpico të Torinos.
Ajo që është pritur të jetë një ndeshje e dominuar nga loja e shpejtë dhe eksplozive e Interit në fakt ishte e kundërta. Juventusi vazhdoi traditën e viteve të 70-ta me ‘cattenacion’ klasike, duke mbajtur pothuajse gjithë skuadrën në mbrojtje.
Interi nisi më mirë takimin. Një mundësi përpara portierit Buffon të Giampaolo Pazzinit për mrekulli e bllokoi mbrojtja mirë e organizuar e Juventusit, përderisa nga ky moment Bianconerët nuk kishin të ndalur.
Pas gjysmë ore lojë, Milos Krasic tentoi depërtimin pranë Javier Zanettit dhe meqenëse nuk pati rrugëdalje tjetër, pasoi te Sorensen, i cili me një harkim preciz e vuri në pozitë shënimi Alessandro Matrin, i cili shfrytëzoi për mrekulli mos përqëndrimin e Cordobas, për të realizuar me kokë për 1-0 dhe gëzimin e madh në Torino.
Si fakt interesant i këtij goli vlen të përmendet paga e asistuesit Sorensen, i cili fiton për një vit po aq sa fiton Eto’o për një ditë te Interi.
Në vazhdim të takimit Interi kishte posedimin, por gjysmë mundësitë i takuan Juventusit, pasi loja në pjesën e dytë ishte tejet monotone e diktuar nga bardh e zinjtë të cilët ndërtuan murin kinez para portierit Buffon, i cili nuk preku topin gjatë 90 minutave lojë.
Me këtë disfatë Interi pëson goditje të rëndë në luftën për titull të kampionit, pasi gjendet plot tetë pikë larg Milanit lider, me një ndeshje më pak të zhvilluar. Shpresat e Juventusit për një vend të katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve pas këtij triumfi janë rritur ndjeshëm me 41 pikë në pozitën e gjashtë.
Category: Futboll
0 Komente