Zyrtare: Bundesliga fiton vendin e katërt në LK
Kampionati futbollistik gjerman (DFL) ka konfirmuar se Bundesliga do ta ketë vendin e katërt në Ligën e Kampionëve nga sezoni 2012/2013.
Gjermania definitivisht e ka tejkaluar Italinë në ranglistën e koeficientëve pas rezultateve të kësaj jave në Ligën e Kampionëve dhe Europa League, duke bërë kështu që Bundesliga ta ketë dhe ekipin e katërt në Ligën e Kampionëve nga sezoni i ardhshëm.
“Pas 11 vitesh, Bundesliga e ka siguruar vendin e katërt në Ligën e Kampionëve, duke filluar përsëri nga sezoni 2012-2013. Pas rezultateve të javës së fundit në Evropë, me Bayernin e Munichut dhe Bayer Leverkusenin që fituan, duke përfshirë eliminimin e Napolit, Gjermania edhe më tej zgjeroi epërsinë ndaj Italisë në ranglistën e koeficientëve, duke siguruar vendin e tretë në këtë ranglistë prapa Anglisë dhe Spanjës”.
“Klubet gjermane kanë akumuluar 68,103 pikë dhe kanë zgjeruar epërsinë me Serie A (59,981) për 8,122 pikë. Italia e ka të pa mundur që ta rifitojë vendin e tretë këtë sezon. Duke siguruar vendin e tretë në ranglistën e UEFA-s, Bundesliga tani e tutje do të ketë katër ekipe në Ligën e Kampionëve, me tri të parat që kualifikohen drejtpërdrejtë dhe një tjetër që do të luajë në play-off”, shkruan në komunikatën e DFL.
Ky konfirmim vjen pas humbjes së Napolit ndaj Villarrealit në Europa League. Më të mirë nuk ishin as Interi, Milani dhe Roma, të cilët pësuan humbje në ndeshjet e para të 1/8-ës së finales së Ligës së Kampionëve, me të tria ndeshjet që janë zhvilluar në Itali.
Category: Futboll
0 Komente