Mbretërit fitojnë derbin kryeqytetas
Real Madridi ka shënuar fitore prej 2-1 kundër Atletico Madridit në derbin e javës së 29-të në Primera Division, për të mbajtur hapin me Barcelonën në garën për më të mirin në Kampionatin spanjoll.
Të dyja skuadrat zhvilluan lojë të mirë në pjesën e parë, mirëpo më të efektshëm ishin Los Blancos të cilët e tundën dy herë rrjetën kundërshtare. Karim Benzema me një gol të bukur (11’) kaloi mysafirët në epërsi pas një asistimi të Sami Khediras.
Në minutën e 33-të, Marcelo lëvizi mirë për të pasuar te Mesut Oezil, ndërsa gjermani me prejardhje turke mposhti portierin De Gea me një supergol për rezultatin 2-0.Fillimi i pjesës së dytë i takoi skuadrës vendase, e cila ishte në kërkim të nivelizimit të rezultatit, mirëpo përkundër rasteve të shumta, lojtarët e Atleticos nuk arritën ta kalonin portierin Iker Casillas.
Ndërkaq, Los Blancos dalëngadalë e zbutën presionin për ta baraspeshuar lojën dhe për të krijuar raste.
Mirëpo, katër minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit, pas një kombinimi me Koke Merodio, Sergio Aguero ngushtoi epërsinë në 2-1, për t’i dhënë shpresa skuadrës së tij për barazim eventual, mirëpo kjo nuk ndodhi deri në fund të ndeshjes.
Me tre pikët e fituara, Real Madridi qëndron prapa Barcelonës me pesë pikë diferencë, dhe duket se nuk do të heqë dorë deri në fund të kampionatit për të pritur lëshimet e mundshme të liderit dhe kampionit në fuqi.
Category: Futboll
0 Komente