Rossonerët pastër në krye
Milani ka dalë fitues i përballjes së fundit të javës së 32-të në Serie A duke e mposhtur Fiorentinan me rezultat 2-1, në takimin e zhvilluar të dielën mbrëma në Stadio Artemio Franchi. Mysafirët i dhanë fund dilemës për fituesin që në pjesën e parë duke ndëshkuar dy herë skuadrën vendase. Rossonerët e filluan në mënyrë të shkëlqyer takimin duke arritur te goli avantazhit që në minutën e tetë. Pasimi i Ibrahimovic u ndal nga Comotto, por topi kaloi te Pato, i cili pasoi te Clarence Seedorf, ndërsa holandezi shënoi golin e parë. Pa u mbyllur pjesa e parë (41’), Kevin-Prince Boateng krosoi ulët në drejtim të Alexandre Patos dhe braziliani dyfishoi epërsinë. Dhjetë minuta pa përfunduar ndeshja, Viola e ngushtoi rezultatin përmes Juan Manuel Vargas për të shpresuar për një barazim të mundshëm, por këtë nuk e arriti deri në fund të takimit. Ndërkohë, sulmuesi i kthyer nga ndëshkimi, Zlatan Ibrahimovic, do t’i mungojë sërish Milanit, pasi që në minutën e 87-të u përjashtua me karton të kuq, pasi mori dy kartonë të verdhë. Kjo fitore e mban Milanin pastër në krye të tabelës me tre pikë diferencë nga përcjellësi i parë, Napoli.
Category: Futboll
0 Komente