CA: Brazili fiton dhe kualifikohet
Brazili ka shënuar fitoren e parë pas dy barazimeve duke mposhtur me rezultat 4-2 Ekuadorin dhe duke siguruar vend në çerekfinale të Copa America.
Yjet e ndeshjes ishin Neymar dhe Alexandre Pato te Brazili dhe Caicedo te Ekuadori, pasi që të tre shënuan nga dy gola.
Ndeshja filloi mirë me të dyja ekipet që kërkonin të sulmonin, por goli i parë u shënua nga brazilianët me anë të Patos (28’). Ata për pak sa nuk e dyfishuan epërsinë pas 36-minutash lojë me anë të Robinhos, megjithatë Ekuadori që shënoi golin e radhës dhe arriti të barazojë me anë të Felipe Caicedo pas dhjetë minutash (37’).
Djelmoshat e trajnerit Mano Menezes rikthyen avantazhin me të filluar pjesa e dytë me Neymar që shënoi golin e parë të turneut (48’). Por Ekuadori nuk u dorëzua dhe pas dhjetë minutash të tjera shënoi edhe njëherë me anë të Caicedo për të barazuar rezultatin (58’). Barazimi zgjati vetëm dy minuta me Pato (60’) që shënoi golin e tij të dytë, ndërsa më vonë edhe Neymar gjeti rrjetën për të dytën herë në ndeshje (72’).
Brazili do të mund të shënonte edhe golin e pestë në sekondat e fundit, por ishte sërish Robinho që dështoi të gjejë rrjetën.
Tre pikët e reja e ngrenë Brazilin në maje të grupit B dhe në çerekfinale ata do të takohen edhe njëherë me Paraguain, që përfundoi i treti po në këtë grup.
Category: Futboll
0 Komente