Interi viktima e radhës (VIDEO)
Juventusi ka vazhduar me formën e mirë kundër skuadrave të mëdha duke e mposhtur Interin në Derby d’Italia me rezultat 2-1.
Në takimin e zhvilluar në Giuseppe Meazza, vendasit dukeshin më të rrezikshëm në fillim të ndeshjes, mirëpo ishin bardhezinjtë ata që realizuan të parët.Alessandro Matri goditi në drejtim të portës, ndërsa topin e kthyer e shfrytëzoi Mirko Vucinic për rezultatin 1-0 (12’).
Nerazzurët u angazhuan maksimalisht duke e dominuar lojën në minutat në vijim dhe kjo rezultoi me golin e barazimit.
Ishte braziliani Maicon lojtari, i cili me një supergoditje e nivelizoi takimin (28’).Mirëpo, gëzimi i tifozëve vendas nuk zgjati shumë, pasi që Bianconerët rikthyen epërsinë, pas një aksioni të bukur të Matrit dhe Claudio Marchisios, ndërsa ishte mesfushori italian ai që realizoi (33’).
Në gjysmën e dytë zikaltrit luajtën më mirë duke krijuar raste dhe duke tentuar që të realizonin, mirëpo mbrojtja mysafire u tregua më e suksesshme. Ndërkohë, ka pasur raste kur vendasit kanë mundur të ndëshkoheshin nga kundërsulmet e Juves.
Me këtë fitore, Juventusi rikthen pozitën e parë që e mbajti pak çaste Milani, ndërsa ka diferencë prej dy pikësh nga Rossonerët.
Category: Futboll
0 Komente