Nuk mposhtet Juventusi
Zonja e Vjetër e ka arritur që në mënyrë të jashtëzakonshme të rrëmbejë një pikë nga udhëtimi i vështirë në San Paolo, duke barazuar me rezultat 3-3 kundër Napolit.
Një ndërhyrje të Andrea Pirlos në Ezequiel Lavezzin, arbitri e ndëshkoi me penalti, ndërsa Marek Hamsik herën e parë shënoi, por arbitri kërkoi që sërish të ekzekutohet e njëjta penalti, kurse për të dytën herë mesfushori dështoi të shënonte.
Hamsik e përmirësoi gabimin e tij në minutën e 23-të kur shënoi me kokë. Ndërsa pa përfunduar pjesa e parë (40’), Goran Pandev e dyfishoi epërsinë pas një asistimi të Christian Maggios.
Porsa nisi gjysma e dytë (48’), Alessandro Matri pranoi një top të bukur nga Arturo Vidal për të shënuar golin e parë të mysafirëve.
Mirëpo, sulmuesi maqedonas Goran Pandev realizoi edhe golin e dytë personal në këtë ndeshje (68’), duke ua vështirësuar punën Bianconerëve.
Ky gol nuk i shqetësoi aspak mysafirët, të cilët shënuan sërish përmes Marcelo Estigarribia (72’), i cili u asistua nga Matri. Për më shumë, Zonja e Vjetër arriti që në mënyrë sensacionale ta barazojë rezultatin, ndërsa realizues ishte Simone Pepe (79’).
Me këtë pikë të fituar, Juventusi forcon kreun me dy pikë diferencë nga përcjellësit, Milan dhe Udinese.
Category: Futboll
0 Komente