Barcelona është kampione e botës! (VIDEO)

dardanmiftari | Sunday, December 18, 2011 | 0 Komente

Barcelona është shpallur kampione e botës për klube, pasi ka mposhtur në finale skuadrën braziliane, Santos, me rezultat të thellë 4-0.
Ishte kjo një ndeshje të cilën Barcelona ka mundur ta fitojë me rezultat 10-0, mirëpo ishin disa momente me fat që shpëtuan brazilianët e Santos, pasi katalanasit ishin në ditën më të mirë të tyre, duke shfaqur perfeksion teknik, magji të futbollit dhe ngurtësim të statusit prej ekipi më të fortë në botë.
Barcelona dominoi nga fillimi i takimit, por goli erdhi në minutën e 17-të, kur Xavi në mënyrë mjeshtrore e gjeti të lirë Lionel Messin, i cili në mënyrë hyjnore finalizoi me një parabollë për 1-0. Barcelona vazhdoi me lojën superatraktive, duke mbajtur topin në gjysmëfushën kundërshtare. Daniel Alves me një pasim në zonë e nxorri në pozitë shënimi Xavin, i cili ishte i pa gabueshëm për 2-0 dhe epërsinë solide të katalanasve.
Në vazhdim tregohet një mundësi shumë e mirë për Fabregas, i cili pas një pasimi të jashtëzakonshëm të Andres Iniestas, qëlloi shtyllën pingule.
Por, Fabregas shënoi në fund të pjesës së parë, kur pas një tollovie në zonë të krijuar nga një pasim fantastik i Lionel Messit, e vulosi rezultatin e pjpesës së parë në 3-0.
Në fraksionin e dytë Santosi hyn diç më ambicioz në takim. Neymar humbi dy mundësi të mira, përderisa edhe Borges kishte një rast të mirë të pa shfrytëzuar.
Shpresat e Santosit i ka shuar kush tjetër pos Lionel Messit, i cili pasi tejkaloi edhe portierin në minutën e 82-të shënoi për 4-0 dhe rezultatin përfundimtar të këtij takimi.
Kështu Barcelona shpallet për herë të dytë kampione e botës për klube brenda tri viteve, në një briliancë futbollistike të shfaqur nga Lionel Messi, i cili i tregoi talentit brazilian Neymar se duhet të rritet ende për futbollin evropian.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...