Rrahje masive e Chisoras dhe Haye (VIDEO)
Boksierët britanik, Derek Chisora dhe David Haye, ishin përfshirë në një konfrontim në Munich, që ka shpjerë drejt një rrahje masive nga e cila i lënduar ka dalë menaxheri i Hayes, Adam Booth.
Incidenti ndodhi në një konferencë për shtyp, pasi Chisora humbi pas një performance të denjë ndaj Vitalit në 12 raunde. Sidoqoftë, Chisora pas duelit ngacmoi Haye, i cili ishte në rolin e analistit për një televizion britanik, duke e kritikuar për mënyrën se si ka humbur nga Wladimir Klitschko.
“David, si e ke gishtin e këmbës”, theksoi Chisora vazhdimisht në konferencë, duke aluduar në arsyetimin e Haye pas duelit me Wladimirin zhvilluar korrikun e kaluar, duke shtuar “Haye, ti dhe unë mund të takohemi në Londër. Mos ki merak”.
Pas këtyre fjalëve, Haye u ngrit dhe filloi të rrahej me Chisoran, teksa ky i fundit pohon të ketë marrë një shishe për ta goditur Hayen, pasi të njëjtën gjë e bëri edhe ky i fundit.
Sipas AP, kur Haye dhe Chisora ishin ndarë, Haye u përfshi në një rrahje tjetër me një antar të stafit të Chisoras me të cilin kanë shkëmbyer disa goditje. Gjatë këtij incidenti tjetër të madh Haye mori një tripod televiziv ndërsa në rrëmujë menaxheri i Haye ka dalë me prerje në fytyrë. Gazetarët janë larguar nga këto skena, teksa sigurimi ka tentuar t’i ndajë palët. Para rrahjes së Hayes me Chisoran në Munich, Bernd Boente, menaxheri i Klitshkocs tha: Pas përvojave të këqija me boksierët britanik, ne do të kërkojmë boksierë nga vende tjera. Për dallim nga David Haye, Dereck Chisora vërtet luftoi dhe tentoi të fitonte”.
Ndaj kësaj, Haye u përgjigj: “Ju nuk dëshironi të luftoni me mua, apo jo?”, ndërsa Boente tha: “Ti ke pasur ofertë, nuk pranove, tani je jashtë. Ti je jashtë. Jashtë, jashtë, jashtë. Ti nuk mund ta fusësh veten prap në konkurrencë, pasi nuk ke breza. Chisora shfaqi zemër, për dallim prej teje. Ti shfaqe gishtin tënd të këmbës”.
Wladimir Klitschko, i cili ishte dëshmitar i dramës në sallën e konferencës për shtyp në Munich, tha për BBC: “Jam totalisht i zhgënjyer, shkoi shumë larg, sporti i boksit nuk duhet të jetë i tillë. Fytyra të përgjakura në konferencë për shtyp...duhet të ketë luftë në ring, jo jashtë ringut. Jam vërtet i befasuar”.
Dereck Chisora shkaktoi polemika të mëdha pasi para duelit me Vitali Klitschkon e goditi këtë të fundit me shuplakë gjatë matjes zyrtare, por ukrainasi e mori me sportivitet dhe ia tregoi vendin gjatë duelit.
Category: Boks
0 Komente