Lunacek: KON-i theu idenë e Lojërave Olimpike
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek ka shprehur zhgënjimin e saj me vendimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që i pamundëson xhudistes nga Kosova, Majlinda Kelmendi, të përfaqësoj Kosovën ose të marrë pjesë si sportiste e pavarur në Lojërat Olimpike “Londra 2012”.
Në një intervistë për portalin Dukagjini.com, duke e vlerësuar një vendim të tillë si të papranueshëm, Lunacek tha se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar me një vendim të tillë nuk i ka shërbyer mirë as idesë që përmes Lojërave Olimpike njerëzit e vendeve të ndryshme të bashkohen.
Vendimi i KON-it për Majlinda Kelmendin, që renditet e pesta në botë me 820 pikë, për Lunacek ka një shpjegim më të gjerë, sesa i zakonshmi.
“Rastin e Majlinda Kelmendit e shoh si thyerje të idesë së atyre që i krijuan Lojërat Olimpike”, shprehet Lunacek.
“Lojërat Olimpike u krijuan me principin që pjesëmarrja është më e rëndësishme se fitorja. Unë mendoj se Majlinda Kelmendi edhe do të fitonte në Lojërat Olimpike, por ideja që asaj t’i ndalohet pjesëmarrja në emër të Kosovës, madje as nën flamurin olimpik, nuk ka të bëjë asgjë me standardet ndërkombëtare të sportit. Kjo është tërësisht e papranueshme”, tha ajo.
Lunacek ka përmendur emra shtetesh të cilat nuk janë të njohura ndërkombëtarisht, që nuk kanë ulëse në OKB, por që sportistët e tyre përfaqësohen me flamurin e vet.
“Palestina nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht, as nuk ka ulëse në OKB, por përfaqësohet me flamurin vet. Serbia në vitin 1992, kur Milosevici kishte dërguar trupat për luftë në Bosnjë, atëherë atletët serbë morën pjesë nën flamurin e Lojërave Olimpike”, thotë Lunacek.
“Nuk mund ta kuptoj faktin se si në vitin 2012 një sportiste shumë e mirë e Kosovës, nuk lejohet të marrë pjesë madje as nën flamurin olimpik. Mendoj se Komiteti Olimpik nuk i ka bërë një shërbim të mirë vetë idesë së Lojërave Olimpike që me pjesëmarrje të bashkohen njerëz nga vende të ndryshme”, tha Lunacek.
Eurodeputetje Lunacek ka bërë thirrje prej shumë kohësh që Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Londër gjatë kësaj vere.
Në raportin e fundit të Parlamentit Evropian ajo kishte bërë një thirrje të tillë, por që hasi në vesh të shurdhër nga Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Category: Olimpiadë
0 Komente