Barca & Real vs. Juventus

Unknown | Sunday, June 10, 2012 | 0 Komente

Gjigantët e futbollit botëror do ta sfidojnë njëri-tjetrin në ndeshjen e parë të Grupit C në kuadër të Euro 2012 që zhvillohet në mes të Spanjës dhe Italisë.
Kampioni në fuqi i Evropës dhe botës konsiderohet si një nga favoritët për ta fituar edhe turneun e sivjetmë evropian. Mirëpo, shumëkush që e njeh futbollin ka këshilluar që të mos përjashtohet kampioni i botës nga viti 2006 nga lista e favoritëve.

Kur kihet parasysh se ishte pikërisht Spanja që e eliminoi Italinë në Kampionatin e fundit Evropian (Euro 2008 në çerekfinale), atëherë padyshim që pritet një ndeshje plot tension dhe shfaqje strategjish.

Padyshim se barrën kryesore do ta kenë dy yjet e skuadrave – nga njëra anë Xavi Hernandez, ndërsa nga ana tjetër, Andrea Pirlo. Dy mjeshtrit e mesfushës e kanë treguar veten në të kaluarën duke u renditur ndër më të mirët në histori në këtë zonë të fushës. Ndërsa të dielën mbrëma, ata do ta sfidojnë njëri-tjetrin në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Nga ana tjetër, do të kemi një përballje “klubesh” duke u bazuar në formacionet e dy përfaqësueseve.

Në formacionin bazë të Furisë së Kuqe pritet të dominojnë lojtarët e Barcelonës dhe Real Madridit, dy skuadrave që e kanë dominuar La Ligan (me Los Blancos që u shpallën kampionë), por ishin të favorizuara edhe në Evropë, edhe pse u eliminuan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Tetë lojtarë të formacionit bazë të Spanjës janë pjesë e dy skuadrave kryesore – Real Madrid (Iker Casillas, Alvaro Arbeloa, Sergio Ramos dhe Xabi Alonso) dhe Barcelonës (Gerard Pique, Xavi Hernandez, Sergio Busquets dhe Andres Iniesta).

Te kombëtarja e Italisë në formacionin bazë pritet të dominojnë lojtarët e Juventusit. Zonja e Vjetër ia ka fituar Italisë tre Kupa të Botës dhe tani “ItalJuve”, siç quhet ndër tifozë, është në kërkim të titullit të Evropës.

Pesë lojtarë të Juventusit (Buffon, Cannavaro, Zambrotta, Camoranesi, Del Piero) luajtën për Italinë në finalen e vitit 2006 kundër Francës, ndërkohë që tre të tjerë luajtën për Les Bleus (Vieira, Thuram dhe Trezeguet). Gjashtë bianconerë (Dino Zoff, Claudio Gentile, Marco Tardelli, Paolo Rossi, Gaetano Scirea, Antonio Cabrini) ishin pjesë e skuadrës së Italisë që e mposhti Gjermaninë në vitin 1982. Për më shumë, triumfi i Italisë në Kampionatin Botëror të vitit 1934 ishte po ashtu i bazuar te lojtarët e Juventusit, të cilët e dominuan gjysmën e parë të asaj dekade.

Kështu që nuk është befasi që edhe në këtë turne të madh, Italia të mbështetet te Bianconerët. Triumfi i sivjetmë në Serie A, ka bërë që në njëmbëdhjetëshin startues të Azzurrëve të dominojnë Bianconerët (Gianluigi Buffon, Giorgio Chiellini, Claudio Marchisio, Andrea Pirlo dhe Leonardo Bonucci).

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...