Bulku “garanton” maksimumin me kombëtaren
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ervin Bulku, garanton se lojtarët do të japin maksimumin në dy ndeshjet e radhës kualifikuese për Botërorin 2014, ndaj Islandës dhe Sllovenisë.
Gjatë një interviste për Sporti Shqiptar, Bulku thotë se kuqezinjtë nuk janë aspak të dëshpëruar pas disfatës nga Zvicra, pasi ajo ishte një rival i vështirë, dhe se tash ata janë të fokusuar të nxjerrin pikë maksimale në ndeshjet e radhës.
“E rëndësishme për ne është që të futemi në fushë për të marrë tri pikët. Do të thosha se Islanda është pak a shumë si Qipro dhe ne duhet të marrim pikët e plota. Nuk mund të them se si do të luajmë apo si do t’i përgjigjemi kundërshtarit, sepse çdo ekip ka pikat e forta dhe të dobëta dhe kjo është detyrë e trajnerit se çfarë skemash do të përdorë”.
“Ai e di mirë se si do të luajmë ndaj Islandës, ndërsa detyra jonë është të zbatojmë detyrat që do të na caktojë trajneri gjatë këtyre ditëve që jemi në grumbullim dhe para ndeshjes. Unë garantoj se ne do të mundohemi të marrim më të mirën në këto dy ndeshje që janë vendimtare për ecurinë e ekipit. Gjithsesi do t’i marrim ndeshjet me radhë. Fillimisht po mendojmë për Islandën që është e para dhe pastaj të shohim”, ka thënë mesfushori.
Category: Futboll
0 Komente