Platini: Juve mund të fitonte 4-0 me Interin

Unknown | Friday, November 16, 2012 |

Mishel Platini i është ofruar medias italiane për një intervistë të tijën në lidhje me faktet e viteve të fundit në futbollin italian. Ai është ndalur në sfidën Juventus-Inter, por në të njëjtën kohë ka dhënë mendimin e vet në lidhje me varfërimin e futbollit italian, stilin e ri të rindërtimit të Juventusit, por edhe vlerësimin e disa yjeve si Toti, Del Piero dhe Baloteli. “E ndjek sa herë kam kohë kampionatin italian, ndërsa dy sfidat e fundit që pashë me vëmendje ishin Lacio-Roma dhe Juventus-Inter. Seria A mbetet ende një kompeticion interesant ndonëse, fatkeqësisht, vitet e fundit ka humbur shumë yje”, – nënvizon francezi. 

Platini, çfarë ndeshje ishte Juventus-Inter?

Më pëlqeu. Komplimente Interit, që e ndërpreu serinë e pathyeshme të bardhezinjve që zgjaste prej 49 takimesh. Gjithsesi, nëse do ishin treguar pak më gjakftohtë, Juventusi mund ta kishte mbyllur pjesën e parë në shifrat 4-0. 
Arbitrimi i Taljaventos ishte shumë i diskutueshëm…

Në Itali ka dekada që vazhdon e njëjta histori dhe me këtë ritëm kam frikë se ndonjë ditë arbitrat mund të hyjnë në grevë. Po pastaj kush do t’i gjykojë ndeshjet…? 
Juventusi po rilind nën stilin e Andrea Anjelit?

Është i zoti dhe po i bën gjërat siç duhet. Natyrisht që stili i avokatit Xhani Anjeli ishte dhe do të mbetet i pakrahasueshëm, por e rëndësishme është që kjo familje vazhdon ta mbështesë Juven dhe me lëvizjet e saj në biznese dhe rindërtimin e skuadrës do e kthejnë sërish në elitë skuadrën. Personalisht më pëlqen sesi ekipi po ecën dhe lojën që po bën, pasi kam i bindur se me këtë ritëm brenda pak vitesh do të shohim një Juventus super. 
Çështja e 30 titujve duket se nuk përfundon kurrë, çfarë mendon UEFA për këtë gjë?

Një temë e tillë duhet të mbyllet sa më shpejt, ndonëse u intereson shumë tifozëve bardhezi dhe atyre interistë. Gjithsesi, UEFA nuk ka asnjë opinion për këtë gjë, sepse fundja ajo është një çështje italiane që duhet të zgjidhet aty. 
Cili do ta fitojë titullin kampion?

Juventusi është më i fortë dhe unë nuk kam asnjë dyshim që do të jenë ata kampionët e sivjetshëm. Konte ka ndërtuar një skuadër që e sulmon me të gjitha forcat kundërshtarin, ndaj askush nuk di ta interpretojë më mirë se Juventusi këtë gjë në Itali. 
Në Serinë A po shfaqen gjithmonë e më shumë trajnerë të rinj.
..
Konte, Stramaçoni dhe Montela po tregohen shumë të zotë, por mos harrojmë të tjerët si Ançeloti, Kapelo, Mançini dhe Spaleti që, gjithashtu, po rrisin nivelin e lojës në shtete të ndryshme të botës. Unë jam i lumtur që gjithmonë e më shumë të rinj po vihen në lojë por, nëse këta mjeshtër më të vjetër do të kishin qëndruar në Itali, vështirë se do të kishin dalë të rinjtë. 
Murinjo ka lënë ende hijen e tij në Serinë A, si mendoni?

Zhoze është një person, që i bën mirë botës së gazetarisë; një person inteligjent, që e kupton mirë sesi funksionon komunikimi. Kudo që shkon, fiton dhe më pas largohet. Ndërsa ai vend, që e sulmon dhe ndonjëherë edhe e ofendon, në fund sërish e ndjen mungesën e tij. Kështu ndodh edhe në Itali. 
Po Napoli si ju duket sivjet?

Flas shpesh me mikun tim De Laurentis, i cili po bën një punë fantastike. I kam thënë se një ditë do të bënte mirë që t’i jepte një shans Maradonës, sepse Diego ashtu si Aurelio është i pasionuar pas futbollit dhe ndaj qytetit, ndaj mendoj se do të ishte një binom fitues. 
Ndërsa Milani është në krizë të thellë…

Atë që ka bërë Milani në 25 vitet e fundit po mundohen ta kopjojnë të gjithë këta sheikët e sotëm, që janë vënë në krye të skuadrave. Vërtet Berluskoni ka shpenzuar miliona dollarë në çerekshekulli por, ndryshe nga klubet e sotme miliardere, ai fitoi dhe jo më kot Milani është sot skuadra më e titulluar në botë. Prandaj them që fair play financiar është diçka e nevojshme sot. Një sheik mund të blejë këdo dhe çfarëdo por, nëse ai nuk arrin të fitojë, atëherë kjo është diçka që mund të çorientojë gjithë botën e futbollit. 
Cili është mendimi i Platinisë për Balotelin?

Mario është mahnitës, sepse gjithmonë e kam ditur se ai kishte një talent të madh por, nëse nis të piqet sa më shpejt edhe si burrë, atëherë do të jetë një ndihmë e madhe për Italinë. 
Ndërkohë ikonat mbeten Toti dhe Del Piero…

Toti është një ndër lojtarët më të mëdhenj të historisë së futbollit italian. Ka pasur rastin të fitojë gjithçka në futboll, në rang klubesh dhe personal, por u lidh me Romën. Nëse nuk është bërë pishman ai, pse duhet të bëhen të tjerët për të? Ndërsa Del Piero është dhe do të mbetet një legjendë. Duke i lënë mënjanë sukseset e tij, thjesht dëshira që numri 10 i tiji të vishej nga dikush tjetër tregon madhështinë e Alesandro si person, i papërsëritshëm.
Përgatiti: LEAR MAÇI

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!