Rikthimi i Granitit

Lina's | Thursday, December 27, 2012 |


Superylli kosovar, Granit Xhaka, ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se do ta japë maksimumin nga vetja për t’u rikthyer përsëri në rolin e protagonistit te Borussia Monchengladbach.

Duke folur për ‘derwesten.de’, Graniti ka deklaruar se e kishte problem për t’u adaptuar menjëherë në lojë pas transferimit nga Baseli. “Ky nuk është një hap prapa për mua. Unë i shoh gjërat pozitive. Unë pata dy vite mjaft të mira te Baseli, ku ishte një situatë optimale për mua”, u shpreh Xhaka.

Ky i fundit shpjegoi se pritjet e mëdha si dhe loja jo e mirë nga e gjithë skuadra, nuk i ndihmuan atij shumë për t’u adaptuar në lojën e Gladbachut. “Ndonëse kam luajtur, unë nuk kam arritur ta tregoj paraqitjen time më të mirë dhe 100 %-shin tim, sepse edhe si skuadër nuk luajtëm mirë. Trajneri ka marrë gjërat në dorë dhe ka hequr disa lojtarë nga 11-shja e parë, përfshirë edhe mua. Trajneri është shefi dhe ai vendos se kush luan e kush jo”, u shpreh Xhaka.

Megjithatë, ky i fundit nuk dëshiron të dorëzohet. Përkundrazi, ai thotë se do të punojë shumë, që në vitin tjetër të rikthehet në 11-shen e parë të skuadrës së tij. “Unë do të punoj shumë dhe nuk do të dorëzohem. Shpresoj se gjatë vitit 2013 do të luaj prapë”, deklaroi Graniti. Ky i fundit u transferua te Borussia në verën e këtij viti.

Xhaka theksoi se nga presioni i shumës së lartë të transferimit, kishte dëshirë të madhe t’u tregonte tifozëve të Monchengladbach për cilësitë e tij dhe një gjë e tillë nuk është se i ndihmoi shumë në paraqitje të mira.

“Kisha ndoshta pak si shumë presion. Unë doja që nga fillimi t’u tregoja të gjithëve se nuk isha një blerje e gabuar. Ndoshta kjo ishte njëra nga arsyet që nuk munda t’i bashkoja fuqitë e mia. Dhe ndoshta tifozët kanë pritur shumë prej meje. Unë nuk jam një lojtar që i shënon pesë gola në një ndeshje. Por, njerëzit që më sollën mua në Monchengladbach e dinë se sa potencial kam unë dhe unë do t’ua tregoj të gjithëve së shpejti”, deklaroi Xhaka. (ORAinfo)

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!