Del Potro, “viktima” e parë e madhe në Australian Open
Huan Martin Del Potro është “viktima” e parë e madhe e turneut të Australian Open për meshkuj, pasi argjentinasi humbi në 5 sete përballë Zheremi Shardi të Francës.
Fituesi i US Open në vitin 2009, kishte humbur vetëm 13 pikë në total në dy ndeshje, më pak se të gjithë tenistët meshkuj deri tani në këtë turne, para se të përballej me Shardi, i cili e mundi me rezultatin 3-2 (6-3, 6-3, 6-7 (3), 3-6, 6-3).
Francezi që renditet i 36-ti në listën e pretendentëve të turneut, fitoi dy setet e para dhe pasi Del Potro arriti të barazonte, ruajti qetësinë në setin e pestë për të marrë një fitore historike për të.
Del Potro shihej si një rival i mundshëm për titullin në Australian Open, por eliminimi i tij favorizon britanikun Endi Marrei, i cili pritej të përballej me argjentinasin në çerekfinale, por tani ka një rrugëtim më të lehtë drejt këtij trofeu që e kërkon prej shumë kohësh. (LajmeShqip.com)
Category: Tenis