Shqiptari e vesh Lionel Messin!
E pabesueshme, por e vërtetë! Lionel Messi ka pasur punë me shqiptarë dhe është pikërisht një bashkëkombas i joni që është përkujdesur për dukjen e futbollistit më të mirë në historinë e futbollit për ceremoninë e ndarjes së çmimeve, Topi i Artë.
Siç raporton gazeta Sport, Muhamet Hasani i njohur si Muki është rrobaqepësi që punon në kompaninë italiane Ermenegild Zehna dhe që ka pasur punë me Lionel Messin.
Njeriu që jeton në Barcelonë nga viti 2000 dhe gjysma e jetës i ka shkuar në kurbet, rrëfen se si ka rënë në kontakt me Lionel Messin.
“Në këtë kompani punoj që nga viti 1995. 7 vjet kam punuar në Angli, kurse nga viti 2000 jam në Barcelonë. Si rrobaqepës kam punuar edhe në Prishtinë”, thekson ai.
45 vjeçari thotë se gjatë karrierës së tij ka pasur punë me shumë klientë, por njëri më i veçantë ka qenë Lionel Messi, i cili u vesh nga shqiptari për ceremoninë e ndarjes së çmimit Topi i Artë 2010, ku argjentinasi u shpall futbollisti më i mirë në botë për atë vit.
“Para se të shkonte në Zurich për të marrë Topin e Artë për vitin 2010, ai ishte në kompaninë tonë së bashku me babain e tij dhe njerëz të tjerë. Erdhi për të përzgjedhur garderobën që do të vishte për ceremoninë. Fillimisht më kërkoi që t’i bëja një propozim. I thashë të veshte këmishën e bardhë, kostumin e zi dhe një kollare të kaltërt, pasi kjo e fundit do t’i shkonte mirë me ngjyrat e vendit nga vjen ai. Ai pranoi me kënaqësi propozimin tonë”, përfundoi Muki.
Lionel Messi edhe këtë vit është favorit për të fituar Topin e Artë, të katërtin në karrierë.
Category: Futboll