Deçiq–Prishtina, lojtarët rrihen në fushë!

Lina's | Monday, February 18, 2013 |


Shkuan për tu përgatitur rreth skemave të reja të lojës dhe për të parë gjendjen e lojtarëve, mirëpo përfunduan të grushtuar. Nuk po bëhet fjalë për ndonjë klub boksi, por për skuadrën më të trofeshme në futbollin e Kosovës, Prishtinën. Këta të fundit u pritën në mënyrën më të keqe në ndeshjen e tyre të parë miqësore në Mal të Zi.

Të shtunën, Prishtina sfidoi skuadrën lidere të Kategorisë së Dytë të futbollit malazez, Deçiq, mirëpo miqësorja u shndërrua në armiqësore. Ajo u ndërpre te rezultati 0:0, pasi futbollistët vendas sulmuan ata kosovarë dhe në fund u shpërndanë grushte nga të dyja anët.

Siç kanë njoftuar burime të gazetës ‘Tribuna’ brenda skuadrës prishtinase, gjithçka filloi rreth minutës së 35 pas një ndërhyrje të një futbollisti vendas ndaj Behar Maliqit. “Behari ia mori topin njërit prej lojtarëve kundërshtar. Ai e goditi shkelm nga prapa dhe pastaj filloi zënka”, theksoi burimi në fjalë.

Pas grushteve nga të dyja anët, ishin futbollistët vendas ata që u larguan duke bërë që situata të qetësohej. Gjyqtari kryesor i takimit menjëherë e thirri të mbyllur ndeshjen. Një vandalizëm i tillë nga skuadra vendase nuk është pritur mirë nga krerët e klubit prishtinas, të cilët nga e premtja janë duke qëndruar në Mal të Zi për të vazhduar përgatitjet para fillimit të stinorit të ri në BKT Superligë.

Kjo sfidë miqësore u zhvillua në Tuz të Malësisë. Duhet cekur fakti se prishtinasit janë mirëpritur para ndeshjes nga deputeti i DPS-së për Malësi, Halil Dukoviq si dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Fran Lulgjuraj.(ORAinfo)

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!