Konte më i mirë se Capello!
Në ndeshjen e tij numër 80, trajneri i Juventusit, Antonio Conte, mund të mburret me rendimentin e treguar nga ai, pasi rezultatet janë të denja për një "Zonjë" të madhe. Që në sezonin e tij të parë, ishkapiteni bardhezi arriti të fitonte titullin kampion, duke i surprizuar të gjithë. Ndërsa dhe sezonin e dytë po konfirmohet pozitiv, pasi skuadra bardhezi momentalisht kryeson kampionatin dhe pothuajse është kualifikuar për në fazën tjetër të Champions League pas fitores 3-0 ndaj Celtic në Skoci.
Gjithsej Juventusi i Contes, në 80-të takime ka koleksionuar 50 fitore, 24 barazime dhe 6 humbje. Në klasifikimin e përgjithshëm të trajnerëve më të mirë, tekniku italian nuk është ai që ka fituar më shumë ndeshje, por është tekniku që ka humbur më pak. Ka bërë më mirë edhe se Fabio Capello, i cili në 80-të takime zyrtare koleksionoi 10 humbje që nga muaji gusht i vitit 2004 deri në janar të 2006-ës. Ndërsa Giovanni Trapattoni, mes viteve 1976- 1978, regjistroi 9 humbje në sezonet e tij të arta në drejtimin e bardhezinjve.
Ndërsa, për sa u përket trajnerëve që kanë fituar më shumë, Conte me 50 takime të fituara, renditet pas Fabio Capellos me 56 fitore, Carlo Carcano 53, Giovanni Trapattoni 52 dhe Marcello Lippi me 51.
Një tjetër rekord në favor të Contes është edhe ai i golave të shënuar nga Juventusi: 151 gola ka realizuar "Zonja e Vjetër" në drejtimin e tij, kundrejt 144 të shënuar në drejtimin e Capellos./indeksonline/
Category: Futboll