Vazhdon ‘kosovarizimi’ i Shqipërisë

Unknown | Monday, February 25, 2013 |


Vazhdon edhe më tutje ‘kosovarizimi’ në Kombëtaren shqiptare pasi këta të fundit i kanë ftuar në Kombëtaren U18 për t’u provuar edhe katër futbollistë tjerë nga Kosova. Ardit Simnica, Lorik Aliu, Albert Stublla dhe Milot Rashica janë të ftuar nga përzgjedhësi i zyrës për talent pranë FSHF-së, Redi Jupi.

Qendërmbrojtësi i Prishtinës, Ardit Simnica, në një prononcim për ‘Tribuna’ është shprehur mjaft i lumtur dhe i befasuar njëkohësisht për ftesën nga Kombëtarja U18. “Të premten mora lajmin që jam zgjedhur për t’u provuar në Kombëtaren e Shqipërisë U19. Kur më lajmëroi Redi Jupi, në fillim nuk kam besuar, pasi për të luajtur në Kombëtare ka qenë një ëndërr e imja, ashtu siç është ëndërr e të gjithëve”, shprehet Simnica, i emocionuar. Më tej, 16 vjeçari tregon se do të udhëtojë për në Tiranë të martën, për t’u bashkuar me Kombëtaren në stërvitje para se të udhëtojnë për në Bullgari, atje ku do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore me bashkëmoshatarët e tyre bullgarë. “Të martën do të jem në Tiranë, ku do t’iu bashkohem shokëve të Kombëtares në stërvitje, para se të udhëtojmë për në Bullgari për t’i zhvilluar dy ndeshje miqësore me Kombëtaren e Bullgarisë U18”, vazhdon tutje, Simnica.

Talenti prishtinas, tregon edhe për synimet e tij që janë të zhvillojë dy ndeshje të mira me Shqipërinë, dhe t’i bindë trajnerët e skuadrës që të jetë pjesë e rregullt e Kombëtares. “Synimet e mia janë që të bëjë një paraqitje sa më dinjitoze për kombëtaren dhe të arrijë t’i bindë trajnerët që të vazhdojë të jem pjesë e rregullt e Kombëtares shqiptare. Dua që një ditë të bëhem Lorik Cana i Shqipërisë”, theksoi qendërmbrojtësi prishtinas. Njëherësh, lojtari ka falënderuar edhe trajnerët e tij Gazmend Halitin dhe Ilir Sopin, si dhe familjen e tij për përkrahjen në karrierën e tij si futbollistë.

Vetëm për testim
Ndonëse skuadra U18 nuk ekziston si skuadër garuese, futbollistët e ftuar nga Kosova do të testohen para një ftesë eventuale nga Kombëtarja U19. Simnica luan me të rinjtë e Prishtinës, sikurse Lorik Aliu, me këtë të fundit që disa herë ka veshur fanellën e Kombëtares shqiptare. Në anën tjetër, Miloti dhe Alberti vijnë si talentë nga KF Kurda. Të kujtojmë se këta katër talentë janë disa nga të shumtit që i janë shtuar Kombëtares shqiptare viteve të fundit. (ORAinfo)

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!