Rrëfehet Xherdan Shaqiri: Feja, familja, pasionet…

Edw | Saturday, April 20, 2013 |

Xherdan Shaqiri është “ambasadori” i futbollit kosovar në Zvicër dhe Gjermani. Talenti kosovar hodhi një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u transferuar te Bayern Munchen verën e kaluar. Ai është futbollisti kosovar më i shtrenjtë, i cili u kushtoi bavarezëve 12 milionë euro.
E përditshmja gjermane “Abendzeitung” i ka kushtuar një speciale mesfushorit të Bayernit, i cili shkëlqeu në ndeshjen e fundit ndaj Wolfsburgut dhe ishte protagonisti kryesor në fitoren 6-1, duke i dhënë ekipit biletën e 19-të në finalen e kupës.
Në këtë speciale zbulohet ana shpirtërore, sociale dhe kulturore e talentit kosovar. Cila është menyja e preferuar, njeriu më i dashur, idhulli i tij.
ARIANITI: Vëllai i tij i madh, emrin e të cilit së bashku me atë të vëllait tjetër Erdin dhe motrës Medina, ai i ka gdhendur në këpucët e tij të sportit.
SHPENZIMET: Shaqoja kënaqet kur shpenzon për sendet e preferuara të tij. “Veshjet dhe këpucët janë dy gjërat që nuk mund të kursejë dot asnjë cent”, thotë “xhuxhi magjik”.
TRAMPOLINA: Njeriu që i dha dorën e parë Shaqirit ishte pikërisht ish-bavarezi, trajneri Torsten Fink, i cili e bëri profesionist te Bazeli në vitin 2009. Kujtojmë që, kur ishte 5 vjeç, ai luante për ekipin e të rinjve SV Augst dhe në moshën 10-vjeçare u bë pjesë e akademisë së Baselit.
PROFESIONI: Në filialin “Kaufhauz”, Shaqiri ka marrë leksione për stilist dhe shitës rrobash.
KRENARIA: “50% e zemrës sime i përket Kosovës”,- thotë Shaqiri.
Feja: Pohon se nuk është fanatik i madh ndaj fesë, por e respekton atë. Ai është mysliman dhe kjo duket edhe para ndeshjes, kur ai lutet sipas riteve të kësaj feje.
MENUJA: “Peshku dhe perimet nuk mungojnë kurrë. Im at gatuan në mënyrë speciale. Kur bëjmë peshk, i them mamasë: ‘Lëre më mirë babin ta gatuajë!’” Ndërsa pija e tij e preferuar është çaji i ftohtë me limon ose me pjeshkë.
E ARDHMJA: “Një ditë dua të formoj një familje të madhe. Familja është më e shtrenjta për mua dhe e pazëvendësueshme”.
IDHULLI: Messi është idhulli i tij. Por në dhomë, kur ishte i vogël, mbante varur posterat e Cristiano Ronaldos.
ADN-ja: “Jam i fortë nga natyra dhe nga fizionomia. Kështu është edhe familja ime”,- tha Shaqiri. Ndërsa Hicfeld në këndvështrimin sportiv thotë: “Shaq ka gjenin katalanas. Do jetë ‘Messi’ i Guardiolës”.
KUJDESI PËR FAMILJEN: E ëma e Shaqirit, Fatima, pati punuar si punëtore sanitare, por teksa i biri fiton miliona euro, atëherë as i ati, Hyseni, nuk ka nevojë të punojë. “I kam thënë mamasë: ‘Tani s’duhet të punosh më’. Kështu i kam thënë edhe tim ati. Mjaft kanë vuajtur dhe punuar për ne. Tani duhet të punojnë fëmijët për ta, pasi nuk kanë moshë”, shton “ninxha”.
APARTAMENTI: Shaqiri ka në dispozicion një vilë me 6 dhoma në Mynih dhe është fqinj me Ribery. Teksa fiton miliona me Bajernin, ai u bleu prindërve, motrave e vëllezërve dy apartamente në Kaizeraugst.
FRIZURA: “Kur bëhet fjalë për flokët, për këtë temë më duket vetja paksa femër, pasi kujdesem shumë për ta”.
XS: Janë dy inicialet e tij.
MUZIKA: Ai është pasionant i muzikës shqiptare. Në “Youtube” Xherdani klikon vetëm në muzikat shqiptare, kryesisht të rrymës Hip-Hop dhe RNB.
NOFKAT: “Xhuxhi magjik”, “Shaq”, “Nixha”, “katërkëndësh”. “Madhësitë dhe format e trupit janë OK për mua”, përfundoi Shaqiri.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!