Barbari në Tiranë, masakrohet arbitri

Lina's | Saturday, May 11, 2013 |


Histeri kolektive dhe barbarizëm. Kështu mund të konsiderohet veprimi i djeshëm i futbollistëve të Shkodrës ndaj gjyqtarit kryesor të sfidës Shkodra- Partizani B, Armando Kamberaj. Një lumë grushtesh dhe shkelmash nga shumë lojtarë të ekipit shkodran në adresë të arbitrit nga Patosi, i cili ka përfunduar i shtrirë në fushë dhe më pas ka mbetur me shenja në fytyrë dhe në trup,transmeton albeu.
Nëse nuk do të ndërhynin forcat e rendit, askush nuk mund të parashikonte atë çka mund të ndodhte, duke parë histerizmin dhe goditjet pa fund të lojtarëve shkodranë ndaj gjyqtarit.
Sfida mes Shkodrës dhe Partizanit B, e vlefshme për javën e 13-të të Kategorisë së Tretë, duke qenë se luhej për vendin e parë, organizatorët e kampionatit vendosën që të zhvillohej në fushën sportive “Skënder Halili”. Në këtë mënyrë, forcat e rendit ishin të shumta. Në minutën e 89-të, kur rezultati ishte 2-1 në favor të të kuqve, gjyqtari akordoi një goditje dënimi për Partizanin pas ndërhyrjes së Gurit në dëm të Sikës. Arbitri e ndëshkon futbollistin shkodran me karton të verdhë dhe ky i fundit proteston, duke e sharë dhe ofenduar gjyqtarin.
Në momentin kur Kamberaj po nxirrte kartonin e kuq, Sejdi Guri i afrohet gjyqtarit duke e goditur me grushte. Në këtë çast është afruar nga stoli futbollisti Artil Kuqaj, i zëvendësuar gjatë pjesës së dytë. Lojtari shkodran e ka goditur keqas me shkelma e grushte arbitrin, duke e rrëzuar këtë të fundit të gjakosur në tokë.
Vetëm pas disa sekondash afrohen pranë gjyqtarit kryesor thuajse të gjithë futbollistët shkodranë, duke e goditur me shkelma. Është dashur ndërhyrja e forcave të rendit, të cilat kanë ndalur sulmin e egër të lojtarëve të Shkodrës dhe kanë marrë nën mbrojtje gjyqtarin.
Më pas, tensioni ka vijuar edhe në shkallët e stadiumit te tifozët, por shumë shpejt është zotëruar situata nga forcat e rendit. Në momentin kur lojtari shkodran Kuqaj do të transportohej te furgoni i policisë, është penguar nga të gjithë futbollistët shkodranë, që nuk e kanë lejuar këtë gjë.
Tre gjyqtarët, të marrë në mbrojtjen e policisë, janë futur në dhomat e zhveshjes dhe loja është ndërprerë./fishmedia/

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!