Reali eliminohet me kokën lartë, Dortmundi i hap dyert e Wembleyt
Futbollistët e Real Madridit do ta shikojnë finalen e Wembleyt përmes televizorit. Skuadra madrilene nuk ka arritur ta realizojë ëndrrën e quajtur ‘Remontada’, për ta përmbysur rezultatin nga ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve, në të cilën kishte fituar Borussia Dortmundi me rezultat 4:1. Reali fitoi 2:0, por ky rezultat ishte i pamjaftueshëm për të shkuar në finale.
‘Los Blancos’ kanë tentuar që nga fillimi i ndeshjes, duke lëshuar raste të qindpërqindta me Higuain, Ronaldo e Ozil, në pjesën e parë.
Ndërsa, në pjesën e dytë më të rrezikshëm janë treguar gjermanët me Robert Lewandowskin, i cili lëshoi dy raste të pastra dhe një herë e qëlloi tërthorësen.
Edhe turku Ilkay Gündogan e lëshoi një rast të qindpërqindtë në 45 minutëshin e dytë, ndërsa portieri Diego Lopez shpëtoi gol të sigurt në këtë rast.
Merengues i gjetën golat e vonshëm në minutën e 83-të me anë të Karim Benzemas dhe në atë të 88-të me Sergio Ramos, por që ishin të pamjaftueshëm për Ronaldon me shokë.
Dortmundi e siguroi finalen për herë të dytë në histori të saj, ndërsa Reali dështoi sërish ta kalonte pragun e gjysmëfinales, edhe pse doli me kokën lartë nga ky kompeticion. /Fish Media/
Category: Futboll