Shqiperia, rekord historik në FIFA

Lina's | Friday, May 10, 2013 |


Për herë të parë kuqezinjtë renditen në vendin e 43-të në planet, lëmë pas shumë emra të mëdhenj

Super rekord në FIFA! Superkuqezinj para Norvegjisë!

“Vendi i 43-të në renditjen e FIFA! Forca Shqipëria!” Mesazhi është i Xhani De Biazit, trajnerit të Kombëtares shqiptare, vetëm disa minuta pas publikimit të renditjes nga qeveria e futbollit botëror. 

Një tjetër rekord i vendosur nga italiani dhe kuqezinjtë, që tani e shohin veten në muajin maj, të pozicionuar në vendin e 43-të në botë, pesë vende më lart se në muajin prill, atëherë të 48-tët.

Dhe mendoni, në janar të këtij viti ndodheshim në vendin e 63-të, pra në harkun e pesë muajve kemi ngjitur 20 vende në arenën botërore. Gjithsesi, renditja e muajit maj është më tepër efekt statistikor, pasi janë luajtur vetëm 7 ndeshje. 


NGJARJE E MADHE

Kombëtarja jonë shkroi një tjetër faqe të bujshme në “librin e statistikave”, pasi vendi i 43-të është pozicioni më i mirë historik i Shqipërisë, në një listë ku përfshihen 209 ekipe përfaqësuese nga i gjithë planeti.

Kur shikon se cilët vende kemi lënë pas në renditjen e muajit maj, ia vlen të themi “O sa mirë me qenë futbollist shqiptar!”

Turqia renditet e 45-ta (vendi i tretë në Botërorin 2002); Bullgaria e 52-ta (vendi i tretë në Botërorin 1994); Sllovakia (finaliste në Botërorin 2010); Polonia e 63-ta (vendi i tretë në Botërorin 1974); Austria e 71-ta (vendi i tretë në Botërorin 1954).

Kur u ndeshëm me Iranin në maj të vitit të kaluar (2012), dhe fituam 1-0, atëherë të gjithë thamë se fituam ndaj skuadrës së 52-të në botë, pasi Shqipëria ishte në vendin e 84-t. Tabloja në maj 2013 është tërësisht e përmbysur: Shqipëria në vend të 43-të (+41 vende), ndërsa Irani në vendin e 57-të (-5 vende).

Shqipëria lë shumë vende pjesëmarrëse në kampionatet botërore, përfshirë emra të rëndësishëm të futbollit si Senegali, Egjipti, Kameruni, Australia, Zelanda e Re, Koreja e Jugut dhe e Veriut, etj..



KUNDËRSHTARËT E BOTËRORIT

Vetëm Zvicra (e 14-ta, + 1 vend) dhe Norvegjia (e 31-ta, - 1 vend) janë më mirë se Shqipëria në renditjen specifike brenda grupit E të kualifikueseve të Botërorit 2014. 

Tre kundërshtarët e tjerë janë poshtë kuqezinjve tanë: Sllovenia, në vendin e 55-të; Islanda, në vendin e 73-të dhe Qipron, në vendin e 123-të. Të tria këto kombëtare kanë qëndruar në vend-numëro, pa lëvizur asnjë pozicion në renditjet mujore të prillit dhe majit 2013. 

Ndeshja më e afërt e Shqipërisë është ajo e 7 qershorit ndaj Norvegjisë në “Qemal Stafa”. Në “Uleval” të Oslos fituam 1-0 me eurogolin e Hamdi Salihit, që na çoi në vendin e dytë në grupin tonë, me 9 pikë, po aq sa Islanda. 

Kundër norvegjezëve do të luajmë shanset për të siguruar një vend në “play-off”, pasi për momentin Zvicra ka dy pikë më shumë, kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje. Për fat të mirë, me Zvicrën do të luajmë në Shqipëri, por jashtë kemi Slloveninë, Islandën dhe Qipron. 

KRAHASIMI ME BALLKANIKËT

Duhet pranuar se, Shqipëria ende nuk është një fuqi ballkanike në futboll, kjo në rang Kombëtaresh. Nëse do të shikonim statistikat, kemi këto pozicionime: Kroacia (e 4-ta), Greqia (13), Bosnja-Hercegovina (21), Mali i Zi (27), Rumania (34), Serbia (40), Shqipëria (43), Turqia (44), Bullgaria (52) dhe Sllovenia (55).


ZONA UEFA

Edhe në renditjen kontinentale, pra të UEFA-s, Shqipëria është ngjitur një vend, 24, pas Serbisë e 23-ta dhe para Turqisë, e 25-ta, me turqit kemi ndërruar vendet e muajit prill.  


Kombëtarja jonë lë pas vendet 25-53: Turqinë, Uellsin, Bullgarinë, Sllovakinë, Slloveninë, Izraelin, Poloninë, Bjellorusinë, Austrinë, Skocinë, Finlandnë, Maqedoninë, Armeninë, Estoninë, Gjeorgjinë, Letoninë, Lituaninë, Irlandën e Veriut, Azerbajxhanin, Qipron, Moldavinë, Kazakistanin, Lihteshtejnin, Luksemburgun, Maltën, Ishujt Faroe, San Marinon. 


TOP 10 NË BOTË

Dhjetëshja e parë e renditjes së FIFA-s për muajin maj 2013 përbëhet nga Spanja në vend të parë, e ndjekur nga Gjermania dhe Argjentina. Më tej, renditja vazhdon me Kroacinë, Portugalinë, Kolumbinë, Anglinë, Italinë, Holandën dhe Ekuadorin.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!