Intervista e Adnanit dhe babait të tij VIDEO
Babai i super mesfushorit shqiptar, Adnan Januzaj, ka qartësuar pozicionin e tij dhe të birit të tij sa i përket çështjes së shumë përfolur se për cilën kombëtare lojtari i Manchester United do të luajë në të ardhmen.
Babai i Adnanit, Abedini, në një intervistë për emisionin Interaktiv në KTV ka folur për fillimin e karrierës dhe debutimin e ëndrrave të djalit të tij, duke shprehur kënaqësinë e madhe, por gjithnjë duke mbetur shumë modest.
“Sir Alex Ferguson ka shfaqur interesim i pari për djalin, por djali i ka treguar edhe atij që unë kam ardhur në Manchestrer United vetëm me një synim – punën në teren. Ai i ka dhënë shumë rëndësi Adnanit që të punoj jashtëzakonisht mirë me të, sepse ka diçka më tepër ndoshta se sa lojtarët tjerë dhe Adnani e ka treguar se ai është i gatshëm të punoj për ta”.
“Golat ndaj Sunderlandit? Isha në stadium me vëllain që jeton në Belgjikë, sepse ai është shumë i rëndësishëm për Adnanin, sepse ka qenë shumë pranë tij në çdo moment dhe ai më ka ndihmuar shumë për Adnanin, sidomos kur ishte në Anderlecht. Ai e dërgonte çdo stërvitje, kështu që ai është shumë i lidhur me djalin”.
“Shumica më kanë pyetur se si u ndjeva pas golit të parë dhe unë jam prindi i tij e në këtë fushë punoj tash e sa kohë. Isha i kënaqur që ai shënoi golat, por nuk është kjo e fundit, ka shumë punë për t’u bërë. Tani kemi hyrë në atë fazën për të arritur në nivelin e lartë. Isha i kënaqur, sidomos kur publiku filloi të këndojë emrin e tij, aty isha i emocionuar. Por, jam i përgatitur për çdo rast, si baba i tij. Kur përfundoi ndeshja, isha i kënaqur që klubi mori tri pikët dhe Adnani që bëri diferencën”.
“Pas ndeshjes vetëm një telefonatë ja bëra, por nuk më dha shenja të entuziazmit. Në këtë pikë është shumë i kujdesshëm sa që ndoshta këtu edhe mediat angleze kanë bërë disa krahasime se si është e mundur që një djalosh 18 vjeçar të mos festojë furishëm pas dy golave fantastikë. Ai e bëri më të thjeshtë. Kjo i bën të kuptojnë të gjithë se ai është lojtar jashtëzakonisht i disiplinuar”.
“Adnani nuk e preferon median, ai është larg medias. Ai është i koncentruar vetëm në fushën e gjelbërt dhe asgjë tjetër. Dhe, nëse e sheh një lojtar posa të hapësh faqen e internetit, kjo nuk do të thotë për të ndonjë gjë e jashtëzakonshme”.
“Negociatat për rinovimin e tij kanë filluar para pesë-gjashtë muajsh, por nuk jemi në fazë përfundimtare, sepse ka shumë parametra, por mendoj se çdo gjë po shkon si duhet. Ai ka gjasa të qëndrojë te Manchester United. Për vite nuk do të flas, sepse ende nuk kemi nënshkruar. Edhe pse ka pasur interesim për të nga skuadrat tjera, pasi kontrata i skadon në verën tjetër, ai do të mbesë këtu. Janë disa top klube evropiane, që nuk dua t’i zbuloj se cilat janë”.
Babai i Adnanit foli edhe për çështjen e kombëtares shqiptare dhe fushatën e madhe në internet. Ai ka kritikuar ashpër Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke thënë se ata kurrë nuk e kanë kontaktuar dhe se ata kanë gënjyer opinionin se kinse e kanë ftuar djalin e tij.
Ai madje kritikoi edhe mendimet se ai mund të luajë për Serbinë, apo Kroacinë, teksa konfirmoi se dëshira e tij është që ai të luajë për Kosovën.
“Shiko, për këtë do të publikoj diçka në ditët e ardhshme, por një herë, sidomos kohëve të fundit është folur shumë në mediat shqiptare. Dua të konfirmoj se Adnan Januzaj nuk ka Facebook, e as unë nuk merrem me të. Sepse ka disa informacione se ai po shkruan dhe unë i them të gjithëve se Adnani nuk ka Facebook. Disa persona të pa autorizuar të cilët merren me emrin e tij, shumë shpejt do t’i gjej se pse po përzihen në fushatën ‘Thuaj po Shqipërisë”.
“Dua të sqaroj çështjen e kombëtares në pika të shkurtra. Unë deri më tani nuk kam pasur asnjë thirrje nga ana e FSHF-së, që së paku të bisedojmë për Adnan Januzajn. Këtë opinioni shqiptar duhet ta dijë qart, këtu po flet babai i tij dhe menaxheri i tij për disa çështje që unë i kontrolloj. FSHF nuk na ka thirrur asnjëherë. FSHF ka bërë vetëm dezinformata që ne kemi kontaktuar me Januzajn, por vëllezërit më kanë thënë se kryetari i FSHF-së kishte thënë se para tet muajve ka folur me Adnan Januzajn që është gënjeshtër dhe e pavërtetë. Para dy netëve, më kanë thënë se është bërë një emision në televizionin Klan dhe më thanë se duhesha ta shikoj patjetër këtë emision dhe të shikoja se çfarë flitet”.
“Dua t’i them FSHF-së, se Adnan Januzaj nuk e ka refuzuar askënd. Thonë se telefonin nuk e kemi çuar. Por, është Manchester United ku mund të gjesh kontakt. Klubi më tha se një zyre e ministrisë së Shqipërisë ka tentuar të flasë me Adnanin, por atë askush nuk mund ta bëj sepse Adnanin nuk merret me këtë punë, kështu që ata ia kanë mbyllur dyert vetes. Madje as fushatën “Thuaj Po” nuk e kam parë, sepse ne nuk kemi Facebook. Ai (Armando Duka, FSHF) tha se nëse e ndjen veten Januzaj le të luajë edhe për Serbinë. Kjo nuk të lë hapësirë që ti t’i japësh një rast ekipit kombëtar të Shqipërisë”.
“Ata ia kanë mbyllur dyert vetes. Te unë duhet të vijnë njerëzit të flasin që janë vetëm njerëz të përgatitur profesionalisht dhe korrekt. Asnjë mënyrë tjetër e asnjë njeri tjetër. Nuk do të negocioj me asnjë tjetër. Nuk e njoh Dukën gjërësisht, por flas në bazë të asaj se si FSHF ka reaguar në mënyrë totalisht të paautorizuar dhe jo profesionale. A janë gjasat minimale për të luajtur për Shqipërinë? Nuk dua t’ia mbylli dyert kombëtares shqiptare totalisht. Në këtë emision kam konstatuar se një deputet nga Kosova (Berat Buzhala), kishte thënë se Adnani ka shkuar nga Kroacia dhe ka dokumente kroate. Unë nga Kroacia kam shkuar në pushim, sepse unë në Belgjikë kam kaluar në mënyrë nromale me pasaportë kështu që edhe atje jam martuar. Të shoqen e kam shqiptare edhe ajo nga Istogu dhe nuk e di se si mund të qarkullojnë zëra se e ka të shoqen nga Kroacia ose Januzaj ka dokumente kroate. Ato janë gënjeshtra. Ne jemi nga Istogu”.
“Nuk ia mbylli dyert asnjë kombëtareje, e posaqërisht ekipit shqiptar, sepse ne jemi shqiptarë, por derën e kanë mbyllur vet, sepse kanë bërë dezinformata totalisht të çmendura. Ai (Armando Duka, FSHF) thotë se në moshën 13 vjeçare kemi thirrur Januzajn...kjo është çmenduri. Këta njerëz që punojnë në FSHF nuk kanë shanca që të negociojnë me mua. Te unë duhet të vijnë njerëz profesional, që punojnë për t’i thirrur talentët shqiptarë në mënyrë sportive dhe jo në mënyra ‘e çoj atë, e çoj këtë’. Këto janë gjëra që totalisht nuk kanë efekt te unë”.
“Kanë provuar edhe përmes Lorik Canës. Unë e respektoj atë lojtar, ka bërë karrierë të jashtëzakonshme, por nuk ka influencë ai njeri te unë, që unë ta çoj djalin të luajë për Shqipërinë. Jo ai, por askush. Vetëm njerëz që janë profesional, që punojën ashtu si duhet, mund të vijnë dhe të ulen në tavolinë me mua”.
“Ai nuk do të luajë as për Belgjikën një herë për një herë, sepse do të mundohet të bëjë mirë në klub. Ka pasur tentativa nga trajneri i Belgjikës që ta marr për Kroacinë tani që të laujë, por nuk ka mundur ta marrë leht. Sepse duhet të flitet në mënyrë sportive. Nuk shantazhoj asnjë ekip kombëtar, unë nuk kam çfarë të shantazhoj. Ata po vijnë te unë. Unë i them trajnerit të Belgjikës se unë nuk kam pse ta shantazhoj atë për Januzajn, sepse ai vjen te unë. Kam njerëz menaxhera që punojnë për të, menaxhera jo shqiptar, belg, dhe ata e kanë terenin e vet të punës”.
“Anglia? Roy Hodgson ka thënë se po e përcjell lojtarin dhe në qoftë se ka mundësi juridike, atëherë ai do ta bëj kërkesën që eventualisht të bëjmë diçka për të. Por, ka shumë për të bërë në këtë drejtim. Unë për momentin jam i fokusuar vetëm te klubi i Manchester United”.
“Unë dua që Adnani të luajë për Kosovën, por siotuata politikme për Kosovën është më delikate sepse FIFA nuk e ka pranuar vendin tonë. Por, këto janë çështje që do t’i shikojmë më vonë. Nuk dua të përjashtohet ajo mundësi, që Adnani të bëhet edhe pjesë e kombëtares së Kosovës, por këto janë çështje delikate. Nuk e di se si njerëzit thonë se ai mund të luajë për Serbinë, kur nuk ka kurrfarë mundësie. Turqia, Kroacia dhe Serbia janë të përjashtuar prej kësaj gare”.
“Unë e përshëndes popullin shqiptar që e ka përkrahur Adnan Januzajn dhe i falënderoj të gjithë. Edhe Adnani i falënderon të gjithë. Populli duhet të dijë se njerëzit të cilët janë profesional kanë vend që të vijnë e të flasin me mua. Jo njerëz që bëjnë dezinformata dhe gënjeshtra. Me ata nuk do të komunikoj”, ka deklaruar Abedin Januzaj për Intearktiv.
Kështu, përfundimisht i mbyllen dyert Serbisë, Turqisë e Kroacisë, teksa Shqipëria duhet të angazhojë njerëz shumë profesionalë dhe me përvojë në skautimin e lojtarëve, pasi që si duket se dëmi që ka bërë FSHF në krye me Armando Dukën është vështirë i riparueshëm.
Si do që të jetë, me rëndësi është që Adnani po vazhdon të jetë në formë dhe me mendjen që të luajë ose për Shqipërinë ose për Kosovën.
Category: Top
0 Komente