Prishtina e pushton Ballkanin
Sigal Prishtina e ka shënuar fitoren e dytë në Ligën Ballkanike, pasi e ka deklasuar Ballkanin e Bullgarisë para tifozëve të vet në një organizim të shkëlqyer, me rezultat 89-71.
Në ora 17:30 ishin rreth tre mijë tifozë të flaktë të Sigal Prishtinës ata që hynë në sallë tejet të zhurmshëm.
Koreografia impozante emocionoi të lojtarët. Shumë mysafirë ishin të pranishëm nga fillimi i takimit, duke përfshirë zyrtarë të lartë të institucioneve.
Trajneri i Prishtinës e filloi ndeshjen pa lojtarin kryesor, Dardan Berishën, të cilin e la në pankinë, por kjo u dëshmua të jetë një lëvizje e mençur nga tekniku turk, Ceyhun Cabadak.
Kjo pasi Prishtina e staroi ndeshjen me një seri prej 12-0, ku Kendrick Jones bëri impaktin fillestar me goditje precize për tri pikë, ashtu sikurse depërtime sensacionale.
Pas përfundimit të çerekut të parë, rezultati ishte 33-13, që në masë të madhe edhe nxiti një eufori në sallë, ashtu sikurse edhe emocione, pasi loja ishte e jashtëzakonshme nga basketbollistët vendas.
Pas fillimit të çerekut të dytë ishte Dardan Berisha ai që u tregua me disa treshe të suksesshme, teksa u dalluan edhe Fisnik Rugova dhe Alban Veseli me ndërtimet e aksioneve sensacionale. I shkëlqyer ishte edhe Tay Waller, që u tregua shumë i fortë në depërtime. Mysafirët u kthyen, por jo aq fuqishëm sa për të zhdukur epërsinë tonë.
Ndonëse seria e Prishtinës nuk ishte e njëjtë sikurse në çerekun e parë, pas pjesës së parë u regjistrua një epërsi prej mbi 20 pikësh, që garantoi stabilitet në lojë, gjithë kjo falë startit fantastik.
Në pjesën e dytë vazhdoi loja e mrekullueshme e lojtarëve tanë. Sigal Prishtina e dominoi plotësisht lojën, duke ia bërë të pamundur Ballkanit që të shkrijë epërsinë e thellë, e cila në një moment ishte edhe 24 pikë.
Çereku i tretë e thelloi për tri pikë epërsinë e Prishtinës, teksa trendi vazhdoi edhe në çerekun e katërt, ku shkëlqeu Dardan Berisha me disa treshe nga distanca, pa lënë anash as kontributin e lojtarëve tjerë si Fisnik Rugova që shkëlqyen.
Dhe, ndeshja përfundoi me 18 pikë epërsi, 89-71, një fitore plotësisht e merituar e Sigal Prishtinës.
Me këtë fitore Prishtina arrin që të realizojë edhe fitoren e dytë dhe të ndajë kreun e tabelës me Kozuvin që ka po ashtu katër pikë nga dy fitore.
Vlen të përmendet organizimi fantastik nga Sigal Prishtina, ashtu sikurse edhe tifozët Plisat, që shfaqën kulturën e tifozerisë tipike evropiane, me ç’rast e bënë këtë përballje një duel basketbollistik të nivelit ndërkombëtar.
Ndeshjen e ardhshme Sigal Prishtina e zhvillon ndaj Galil Gilboas, favoritit për ta fituar gjithë Ligën Ballkanike. Sfida zhvillohet në Izrael. /Telegrafi/
Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës: | ||
1 | Dardan Berisha | 21 pikë |
2 | Kendrick Jones | 20 pikë |
3 | Blerim Mazreku | 14 pikë |
4 | A.. Waller | 11 pikë |
Koshashënuesit më të mirë tëBC Balkan: | ||
1 | S. Marinov | 19 pikë |
2 | Lilov | 12 pikë |
3 | P. Marinov | 11 pikë |
4 | Dahlman | 8 pikë |
Category: Basketboll
0 Komente