Ronaldo kopjon Kakane: Nuk iki nga Mancesteri
Kaka duket se është bërë që tani një shembull për t'u ndjekur nga yjet e futbollit. Një gjë të tillë e konfirmon edhe deklarata e djeshme e Kristiano Ronaldos, kur portugezi i betohej për besnikëri ...
... Mançester Junajtid, klubit që e bëri të famshëm. Ndërsa në Spanjë vazhdojnë të flasin se me rikthimin e Florentino Perez, Ronaldo do të veshë fanelën e bardhë, fituesi i "Topit të Artë" duket i qetë. "Daily Star" shkruan se Perez, përveç portugezit kërkon edhe Arsen Venger si trajner, ndërsa vetë francezi do të sillte me vete edhe Fabregas. "Unë jam shumë i kënaqur tek Junajtid, sepse këtu jam në shtëpinë time dhe të gjithë më duan", thotë Ronaldo. "Ferguson më ka mbështetur gjithnjë dhe unë ndjehem pjesë e grupit. Mendoj se ky do të jetë momenti i karrierës që do të kujtoj gjithnjë. Është e vërtetë që çdo gjë që bëj ngjall interes, por e vërteta është se jam i lumtur këtu", shton ai. I lumtur, por siç thotë vetë Ronaldo, nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të vishte fanelën e "Djajve të Kuq". "Të jem i ndershëm, nuk e mendoja se do të luaja me Mançesterin, sepse unë ëndërroja Benfikën, Porton dhe Sportingun. Por, ata nuk kanë arritur kurrë në këto nivele", shprehet më tej portugezi.
Skolari
Të gjithë flasin për lidhjen e tij të veçantë me Luis Felipe Skolarin, një "feeling" i lindur në kohën kur braziliani ishte teknik i Portugalisë. "Për mua, ai është si një baba i dytë. Ishte ai, që gjatë një ndeshje me kombëtaren në Rusi, për eleminatoret e Botërorit, më tha se babai Dinis kishte vdekur. Skolari ma ka inkurajuar gjithmonë, duke më shtyrë të jem ambicioz dhe të ndjehem krenar për atë që arrija", deklaroi sulmuesi portugez.
I urryer?
Ndërkohë, një sondazh i kryer në një uebsajt anglez, tifozët e kanë zgjedhur Kristiano Ronaldon si lojtarin më të urryer. Përgjegjësi i këtij uebsajti, Ues Ljuis, ka shpjeguar për "Daily Star" se kjo nuk lidhet me talentin e tij të padiskutueshëm si futbollist, por me faktin se portugezi kërkon gjithnjë të jetë në qendër të vëmendjes. "Të shkosh në stërvitje me një tjetër makinë luksi (këtë herë Porsh Carrera), nuk të ndihmon të bëhesh simpatik në sytë e tifozëve. Sidomos duket pasur parasysh se në fillim të muajit ai shkatërroi një Ferrari që kushtonte mbi 200 mijë euro dhe ditën tjetër, u paraqit në stërvitje me një Bentli që kushtonte 150 mijë. Pikërisht për pasionin e tij për makinat, shokët e skuadrës i kanë dhuruar një makinë me pedale me simbolin e Ferrarit dhe me targë të personalizuar "CR7", për të evituar që portugezi të bëjë dëme të tjera. Vetë lojtari, kur e ka parë këtë dhuratë në parkingun e qendrës sportive, ka nisur të qeshë me të madhe. "Mezi pres të shkoj në shtëpi për të luajtur", ka thënë ai.
Category: Futboll

















C.Ronaldo #1 ;)
ReplyDelete