Barca dështon sërish

dardanmiftari | Sunday, March 01, 2009 | 0 Komente

Takimi i zhvilluar të dielën mbrëma në Vicente Calderon ndërmjet Atletico Madridit dhe Barcelonës, ka përfunduar me fitoren e skuadrës vendase, me rezultat prej 4-3.
Një superndeshje është zhvilluar ndërmjet skuadrës së dytë nga kryeqyteti spanjoll dhe liderit të tabelës në La Liga, ku u panë plot shtatë gola. Edhe pse Blaugranët krijuan epërsi të dyfishtë, ata në fund dolën kokulur nga Vincente Calderon. Thierry Henry e filloi serinë e golave me një gol të bukur (19’), ndërsa Leo Messi me një solo-depërtim dyfishoi epërsinë (31’). Diego Forlan ngushtoi rezultatin një minutë më pas, me një gol shumë të bukur nga distanca, dhe ky ishte rezultati përfundimtar i pjesës së parë. Disa minuta brenda pjesës së dytë (56’), Kun Aguero barazoi rezultatin për herë të parë. Blaugranët kaluan sërish në epërsi me anë të Henry (72’), por të gjithë punën e kreu paraprakisht Gudjohnsen. Forlan shënoi golin e dytë personal dhe barazoi për të dytën herë, pas një penalltie të akorduar me vonesë nga gjyqtari (80’). Goli i fitores për madrilenët erdhi në minutën e fundit të kohës së rregullt, dhe realizues ishte Aguero, i cili e mposhti Valdezin nga pika e bardhë për t’i dhënë fitoren skuadrës së tij.
Kështu, Atletico i ka bërë nder rivalit të qytetit, Real Madrid, që tashmë gjendet vetëm katër pikë larg Barcelonës që prin në krye të tabelës.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...