Cana në 1/8 e finales së Kupës UEFA
Ekipi i mesfushorit shqiptar Lorik Cana, Olimpique Marseille, ka eliminuar ekipin e shqiptarit i cili aktivizohet për kombëtaren e Serbisë, Miralem Sulejmani, Ajax, për t'u kualifikuar në rundin e ardhshëm të Kupës UEFA.
Marseille udhëtoi në Holandë me një gol epërsi, pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë, i cili rezultat u neutralizua pas po thuaj gjysmë ore lojë, kur mesfushori Eyong Enoh shënoi golin e epërsisë për vendasit (33'). Por gëzimi i holandezve nuk zgjati shumë, pasi mysafirët barazuan pas vetëm dy minutash me anë të sulmuesit Mahmadou Niang. 16 minuta para fundit të kohës së rregullt ishte Miralem Sulejmani ai i cili shënoi për t'i dhënë epërsinë prej 2-1 ekipit vendas, që çoi edhe në lojë shtesë. Por francezët ishin më të përgatitur për minutat e tepërta duke shënuar një herë në portën kundërshtare me anë të mbrojtësit të huazuar Tyrone Mears, në minutën e 19-të të lojës shtesë. Barazimi 2-2 kualifikoi për në 1/8 e finales së Kupës UEFA ekipin e Lorik Canës me rezultat të përgjithshëm 4-3, edhe pse shqiptari nuk ishte pjesë e ekipit të sotëm. Për në rundin e ardhshëm tashmë është kualifikuar edhe Werder Bremeni.
Category: Futboll
0 Komente