Hertha mposhtet, Bayerni dhe Wolfsburgu fitojnë
Skuadra lidere e Bundesligës, Hertha Berlin, ka pësuar humbje nga Stuttgarti në Mercedes Benz Arena, me rezultat prej 2-0. Nga ana tjetër dy përcjellësit e parë, Bayern Munich dhe Wolfsburg kanë shënuar fitore, për t’u afruar në vetëm një pikë diferencë pranë liderit.
Stuttgarti u tregua skuadër e fuqishme në shtëpi duke shënuar dy gola të shpejtë, me të filluar pjesa e dytë, me anë të Cacau (47’) dhe Khedira (51’), të cilët rezultuan të ishin fatal për Herthan, e cila tashmë e rrezikon pozitën e parë në tabelë. Bayern Munichu ka arritur të shënojë fitore minimale prej 1-0, kundër skuadrës së Edmond Kapllanit, Karlsruhe. Të vetmin gol në ndeshje e shënoi Jose Ernesto Sosa (34’), i cili ia siguroi tre pikë shumë të vlefshme skuadrës kampione në luftën për titullin e radhës. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani, u inkuadrua në lojë në minutën e 77-të për Karlsruhen, mirëpo nuk arriti të ndryshojë asgjë në vazhdën e ndeshjes. Pretendenti tjetër për titull, Wolfsburg ka arritur të shënojë fitore me rezultat prej 3-0, si mysafir i Arminia Bielefeld. Edhe Wolfsburgu gjendet vetëm një pikë prapa Herthas, me pikë të barabarta me Bayern Munichun, por edhe me golaverazh të njëjtë.
Category: Futboll
0 Komente