Liverpooli nuk ka të ndalur

dardanmiftari | Sunday, March 22, 2009 | 0 Komente

Tre gola nga Steven Gerrard, kanë ndihmuar Liverpoolin të shkatërrojë ekipin e Aston Villas me rezultat 5-0 në ndeshjen e zhvilluar në Anfield dhe t’i afrohet në vetëm një pikë kampionit në fuqi Manchester United.
Pas Real Madridit dhe Manchester United, Aston Villa ka qenë viktima e radhës në mesin e ekipeve të fuqishme, për të kuqtë të trajnerit Rafael Benitez, që edhe kësaj here fituan me rezultat të thellë.

Pjesa e parë


Të kuqtë dominuan në tërësi pjesën e parë, në të cilën shënuan plot tre gola. Holandezi Dirk Kuyt hapi rezultatin pas vetëm tetë minutash lojë, duke shënuar me anë të një goditje të fuqishme nga afërsia.
Pavarësisht disa rasteve për Aston Villan, ishte sërish Liverpooli që shënoi, kësaj here me anë të një goditje tjetër të fuqishme nga Albert Riera. Topi i hedhur në lojë nga portieri Pepe Reina, arriti tek spanjolli tjetër, i cili nuk fali për të dyfishuar rezultatin. Por vendasit nuk u mjaftuan me kaq dhe gjashtë minuta para fundit të pjesës së parë shënuan edhe golin e tretë. Autori i golit të dytë, Riera, u faulua në zonën e rreptësisë nga Nigel Reo-Cocker, ndërsa nga penaltia i saktë ishte kapiteni Gerrard (39’).

Pjesa e dytë

Edhe pjesa e dytë filloi mbarë për vendasit, të cilët gjetën portën jo më pak se edhe dy herë të tjera. Steven Gerrard shënoi golin e dytë të tij në ndeshje pesë minuta pas pauzës, kësaj here nga gjuajtja e lirë duke gjetur këndin e djathtë të poshtëm të portës së portierit Blad Friedl (50’). Ishte mu portieri që bëri edhe një gabim tjetër të radhës, kur ndaloi sulmuesin Fernando Torres para golit të tij, ndërsa arbitri nuk ngurroi të tregojë për të dytën herë në ndeshje në pikën e bardhë, ndërsa për më keq përjashtoi me karton të kuq Frield, duke lënë Aston Villan me 10 lojtarë në fushë.
Gerrard arriti të mposhtë edhe portierin e dytë zëvendësues të Aston Villas, Brad Guzan, për të shënuar golin e tij të tretë në ndeshje dhe të dytin nga penaltia (65’), duke vulosur kështu fitoren e të kuqve. Tre pikët e reja e ngritin Liverpoolin në pozitën e dytë të tabelës me 64 pikë, që shtojnë presionin mbi Manchester United që ka një pikë më shumë, por edhe një ndeshje më pak. Chelsea pas humbjes së djeshme nga Tottenhami, bie në pozitën e tretë, me tre pikë më pas se Liverpooli, 61.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...