Barcelona po thuajse në gjysmëfinale

dardanmiftari | Thursday, April 09, 2009 | 0 Komente

Katër gola të shënuar në pjesën e parë i kanë dhënë fitoren e thellë ekipit të Barcelonës në përballje me kampionin e Gjermanisë, Bayern Munich, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Camp Nou.
Vendasit kryen punën e vet që në pjesën e parë të ndeshjes, me anë të golave të treshes sulmuese, Messi, Eto’o dhe Henry.

Pjesa e parë

Ndeshja filloi në mënyrë të përkryer për katalanasit të cilët që në pjesë të parë i qerasën bavarezët me një katërshe golash, të cilët në anën tjetër nuk patës asnjë kërcënim serioz në portën e Victor Valdes.Lionel Messi hapi rezultatin pas vetëm nëntë minutash lojë, pas një loje të mirë të Andres Iniesta dhe Samuel Eto’o. Ky i fundit dyfishoi rezultatin pas edhe tre minutash tjerë, dhe asistimi këtë herë erdhi në anën e kundërt, pikërisht nga Messi.
Duke parë tërheqjen e mysafirëve, Barcelona nuk ndaloi së sulmuari, që rezultoi edhe me dy gola të tjerë. Një lëvizje e Henry në anën e majtë, dërgoi topin në qendër të portës së portierit gjerman Hans-Jörg Butt, ku u shfaq këmba e djathtë e Messi, që dërgoi topin në rrjetë.Ishte sërish argjentinasi protagonist edhe i golit të katërt për Barcelonën. Një ‘fluturim’ i tij nëpër mbrojtjen bavareze bëri që topi të arrijë tek Thierry Henry në këndin e majtë, i cili nuk fali nga afërsia për të mbyllur serinë e golave.
Barcelona pati edhe një dyshim për penalti, kur në minutën e 17-të Messi u rrëzua në zonën e rreptësisë, por e gjitha çfarë fitoi ishte një karton i verdhë. Në anën tjetër reagimi i trajnerit Pep Guardiola i kushtoi edhe atij me largim nga stoli drejtues i ekipit, për ta dërguar në atë të tifozëve.

Pjesa e dytë

Vendasit kontrolluan ndeshjen edhe në pjesë të dytë por, mbase të kënaqur me rezultatin e pjesës, ishin më pak sulmues dhe nuk arritën të shënojnë në 45 minutat e fundit.
Lojtarët e Bayernit në anën tjetër dështuan tërësisht edhe në këtë pjesë të ndeshjes, duke pranuar rezultatin përfundimtar 4-0.Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Allianz Arena.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...