Gjysmëfinalja e parë: Chelsea vs. Barcelona

dardanmiftari | Tuesday, April 14, 2009 | 0 Komente

Superdueli anglez në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Ligës së Kampionëve, ndërmjet Chelseat dhe Liverpoolit, i zhvilluar të martën mbrëma në Stamford Bridge ka përfunduar me rezultat të barabartë 4-4, me ç’rast skuadra e Chelseat do të vazhdojë garën në gjysmëfinale.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Anfiled kishte përfunduar me fitoren e Chelseat me rezultat 3-1, dhe ishte e qartë se Liverpooli do të jetë skuadra e cila do ta kërkojë fitoren. Të dyja skuadrat e zhvilluan ndeshjen në mungesë të dy kapitenëve. Te Blutë mungoi John Terry, ndërsa te Të Kuqtë, Steven Gerrard.

Pjesa e parë

Ndeshja filloi me një përqendrim të madh nga të dyja skuadrat dhe nuk u pa asnjë rast deri në minutën e 13-të, kur pas një aksioni të bukur të Liverpoolit, Fernando Torres gjuajti mbi portë. Chelsea reagoi menjëherë (14’) me anë të Frank Lampard, i cili gjuajti shumë afër portës nga gjuajtja e lirë, dhe ky ishte rasti i vetëm i vendasve për t’u përmendur. Në minutën e 19-të vendasit kaluan në epërsi pas një gjuajtje të lirë, të cilën në mënyrë maestrale e shndërroi në gol Fabio Aurelio. Të Kuqtë dyfishuan rezultatin me anë të Xabi Alonsos (28’), i cili e mposhti portierin Cech nga pika e bardhë pas një ndërhyrje të gabuar të serbit Branislav Ivanovic. Deri në fund të 45 minutave të para, Blutë krijuan presion para portës së Liverpoolit, por madje edhe inkuadrimi i Nicolas Anelkas (36’) nuk solli asnjë ndryshim në rezultat.

Pjesa e dytë

Atë që nuk e bëri në pjesën e parë, Anelka e bëri në të dytën. Në minutat e para të gjysmës së dytë të lojës (51’), pas një krosimi të ulët të francezit, shumë dobët reagoi portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, i cili e shtyri topin në rrjet, për ta ngushtuar epërsinë në 2-1. Pas golit të parë, Blutë morën zemër duke krijuar presion përpara portës mysafire, dhe derisa gjuajtja e lirë e Didier Drogbas ishte shumë afër portës (55’), gjuajtja tjetër e mbrojtësit Alex përfundoi në rrjet (57’). Shpresat e Liverpoolit i zbehi kapiteni i Chelseat në këtë ndeshje, Frank Lampard, i cili pas një depërtimi të Didier Drogbas, shënoi golin e epërsisë për Blutë (76’). Megjithatë, mysafirët vazhduan të tregohen luftarakë në fushë duke mos u dorëzuar. Lucas Leiva barazoi rezultatin në 3-3 (81’), ndërsa Dirk Kuyt kaloi sërish Liverpoolin në epërsi (82’) duke shënuar golin e katërt për mysafirët. Për t’i dhënë fund pyetjes së gjysmëfinalistit nga kjo përballje u kujdes mesfushori anglez, Frank Lampard, i cili me golin e dytë personal në këtë ndeshje (89’) barazoi rezultatin në 4-4, rezultat i cili e vë Chelsean përballë Barcelonës në gjysmëfinale, pasi që Balugranët e kanë eliminuar Bayern Munichun me rezultat të përgjithshëm 5-1.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...