Gigli: Kundër Interit për ta ruajtur fytyrën

dardanmiftari | Thursday, April 16, 2009 | 0 Komente

Presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, beson se ndeshja e të shtunës mbrëma kundër Interit do të jetë një mundësi që Zonja e Vjetër 'ta ruajë fytyrën dhe nderin' e vet.
Bardhezinjtë janë nikoqirë të zikaltërve të shtunën mbrëma në Stadio Olimpico të Torinos, ndërsa presidenti i Juves shpreson që me një fitore t’u japin fund kritikave, edhe pse pohon se arritja e Interit dhe fitimi i Kampionatit është vetëm një ëndërr e shuar. “Do të luajmë për fytyrën dhe nderin tonë. Scudetto është një iluzion edhe pse matematikisht ende nuk ka përfunduar gara. Vendi i dytë është shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Gigli për “Il Corriere Dello Sport”. Shefi i Bianconerëve, po ashtu ka mohuar spekulimet se ekziston pakënaqësi ndërmjet kapitenit Alessandro Del Piero dhe trajnerit Claudio Ranieri. “Del Piero? Askush nuk ka dyshuar në aftësitë e tij. Ai ishte njëri nga lojtarët më të mirë kundër Genoas. Nuk mendoj se ka ekzistuar diçka ndërmjet tij dhe Ranierit. Nëse ata kanë pasur t’i thonë diçka njëri-tjetrit, atëherë mendoj se e kanë pastruar këtë gjë”, ka përfunduar presidenti bardhezi.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...