Kosova U-20 në gjysmëfinale të Monthey 2009
Përfaqësuesja e Kosovës, grupmosha 20-vjeçe ka shënuar fitore në ndeshjen e të premtes kundër skuadrës zvicerane, Sion, me rezultat prej 3-2, në kuadër të turneut ndërkombëtar "Monthey 2009", që po mbahet në Zvicër. Kjo është fitorja e parë për kosovarët në këtë turne, por që ka mjaftuar për t'u kualifikuar në gjysmëfinale.
Në dy ndeshjet e para në grup, djelmoshat e drejtuar nga Rafet Prekazi kanë realizuar një barazim (ndaj Brondbit 1:1) dhe një humbje (ndaj Flamengos 0:2). Skuadra e Sionit kaloi e para në epërsi, me golin e Pereirës, në minutën e dytë. Mirëpo, vetëm dy minuta më vonë rezultatin e barazoi Argjend Mustafa. Kosovën e solli në epërsi Besnik Krasniqi, në minutën e 16-të, me golin e shënuar nga penalltia, pasi më parë brenda zonës u ndalua në mënyrë të palejueshme Genc Sermaxhaj. Ky i fundit përveç që fitoi penalltinë, në minutën e 20-të gjeti edhe rrugën e golit, duke e shtuar epërsinë në 3-1. Ndërkohë deri në fund të ndeshjes zviceranët nuk arritën më shumë se sa ta ngushtojnë epërsinë në 3-2, me golin e dytë të shënuar nga Pereira, në minutën e 50-të. Kosova U-20 e ka mbyllur fazën e grupeve në pozitën e dytë, me katër pikë, tri më pak se skuadra braziliane, Flamengo, ndërkohë që ka lënë pas vetës Sionin dhe Brondbin. Vizën për finale kosovarët do ta kërkojnë në takim me skuadrën kroate, Hajduk nga Spliti. Kjo ndeshje do të zhvillohet të shtunën, në ora 17:30.
Category: Futboll
0 Komente