Spektakël dhe turpërim

dardanmiftari | Saturday, May 02, 2009 | 1 Komente

Superderbi evropian i futbollit ‘el Clasico’ i zhvilluar të shtunën mbrëma në Santiago Bernabeu, ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës, ka përfunduar me fitoren e lartë prej 6-2 të skuadrës mysafire, e cila i turpëroi Mbretërit para tifozëve të vet.

Pjesa e parë

Los Blancos e filluan shumë mirë takimin duke krijuar presion te kundërshtari i tyre dhe kjo rezultoi me shënimin e golit të avantazhit. Një kalim i bukur i Sergio Ramosit, i cili krosoi në drejtim të zonës së rrezikshme për ta gjetur argjentinasin Gonzalo Higuain, i cili me kokë e mposhti portierin Victor Valdez (14’) për të çuar në këmbë gjithë Bernabeun. Mirëpo ky gëzim i vendasve zgjati vetëm tre minuta: Thierry Henry pranoi një pasim të mençur nga Lionel Messi, dhe arriti që në mënyrë dinake ta mposhtë portierin vendas. Që nga barazimi i rezultatit, Barcelona e imponoi lojën e vet në fushë duke paaftësuar të gjitha repartet e Real Madridit. Në këtë mënyrë, Blaugranët arritën të shënojnë edhe dy gola të tjerë vetëm në pjesën e parë. Fillimisht krijoi avantazhin mbrojtësi Carles Puyol, i cili kërceu më së larti nga një krosim i Xavit nga gjuajtja e lirë për të shënuar në portën madrilene (25’). Pas disa tentativave të dështuara përballë portierit vendas, më në fund Leo Messi shfrytëzoi një gabim të Los Merengues për ta mposhtur të ‘pamposhturin’ Iker Casillas. Gjatë pjesës së parë, Barcelona ka mundur të shënojë disa herë, por falë intervenimeve bravuroze të portierit Casillas, Mbretërve iu dha mundësia për të shpresuar që në pjesën e dytë t’i ndryshojnë gjërat.

Pjesa e dytë

Sikurse në pjesën e parë, edhe në fillimin e fraksionit të dytë të lojës vendasit u treguan më kërkues ndaj golit dhe këtë gjë e arritën, kur një krosim nga gjuajtja e lirë e shfrytëzoi Sergio Ramos për ta ngushtuar epërsinë në 3-2 (56’). Mirëpo, atëherë kur pritej që Reali të jetë ofanziv dhe ta merr lojën në dorë, në skenë doli sërish Thierry Henry, i cili heshti ovacionet e tifozëve vendas (58’). Në ndërkohë, trajneri i Los Merengues u mundua me anë të zëvendësimeve të ndryshonte ritmin e lojës së skuadrës së tij, mirëpo kampionët në fuqi ishin të pafuqishëm përballë skuadrës mjaft të përgatitur të Barcelonës. Pesëmbëdhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt, Super-Leo Messi tregoi magjinë e tij me golin e dytë personal në këtë takim dhe të pestin për Barcelonën, por merita kryesore për këtë gol i takoi mesfushorit Xavi Hernandez. Radha për të shënuar në këtë takim i erdhi edhe mbrojtësit Gerard Pique (83’), i cili vendosi rezultatin përfundimtar të takimit, Real Madrid-dy, Barcelona-gjashtë. Pas kësaj humbjeje Real Madridi do të gjendet sërish shtatë pikë prapa Barcelonës kur kanë mbetur edhe katër javë për t’u zhvilluar. Mirëpo, pas këtij turpëri Mbretërit duhet që me dorën e vet t’ua dorëzojnë trofeun e titullit kampion të La Ligas katalunasve, të cilët me këtë lojë treguan se pa asnjë dyshim e meritojnë titullin kampion këtë sezon.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

1 comment:

  1. ♥Real Madrid♥03 May, 2009 00:14

    E Ka Meritu Barça Fitoren:'(:S:(

    ReplyDelete

Shkruani Komentin Poshtë...