Wolfsburg shkatërron Hoffenheimin, Bayerni në vendin e dytë
Lideri i tabelës në Bundesliga, Wolfsburg, ka shënuar fitore të lartë me rezultat prej 4-0 në Volkswagen Arena kundër skuadrës, e cila në asnjë mënyrë nuk po e merr veten, asaj të Hoffenheimit. Fitore ka shënuar edhe kampioni në fuqi Bayern Munich në Allianz Arena kundër skuadrës së Monchengladbach.
Edin Dzeko vazhdon të jetë lojtari kryesor i Wolfsburgut, i cili edhe në këtë përballje qe njeriu i ndeshjes duke shënuar hat-trick. Të gjithë golat e skuadrës vendase u shënuan në pjesën e dytë të takimit pasi pjesa e parë përfundoi pa gola. Në minutën e 66-të Edin Dzeko shënoi golin e parë në ndeshje, ndërsa epërsinë e dyfishoi në minutën e 74. Katër minuta më vonë (78’) boshnjaku kompletoi hat-trickun e tij, ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Grafite nga pika e bardhë (89’). Nga ana tjetër, Jupp Heynckes e ka filluar me fitore qëndrimin e tij në stolin e Bayern Munichut. Me golat e Bastian Schweinsteiger (33’) dhe Hamit Altintop (42’) skuadra bavareze e ka mposhtur Monchengladbachun. Të vetmin gol për mysafirët e shënoi Filip Daems nga pika e bardhë (38’).
Category: Futboll
0 Komente